6

Ambasadori francez shprehet i kënaqur me punën e madhe në USHT

Një delegacion i Ambasadës franceze në Maqedoni, i udhëhequr nga ambasadori z. Bernard Valero dhe këshilltari për bashkëpunim kulturor, Johan Uhres, u pritën nga rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti. Me rastin e vizitës së delegacionit francez, ambasadori Bernard Valero u shpreh: “Jam këtu në kuadër të vizitave sistematike, operative dhe miqësore që ua bëj të gjitha institucioneve arsimore të Maqedonisë. Në qendër të bashkëpunimeve në fushën e arsimit janë edhe universitetet.

Erdha këtu dhe pata një takim mjaft të gjatë me rektorin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof .dr. Sadi Bexhetin dhe e urova për të gjitha përpjekjet e tij që i bën në kuadër të programit për zhvillimin e gjuhëve të huaja”. “Rektori më njoftoi për planet që i ka për hapjen e një katedre të gjuhës frënge, si dhe për themelimin e një qendre për mësimin e gjuhëve të huaja, që është një hap i rëndësishëm. Biseduam edhe për mundësitë e ndryshme të bashkëpunimit ndëruniversitar, edhe për mundësitë që i ka ambasada e Francës në trajnimin e studentëve, të mësimdhënësve dhe punëve të tjera në këtë fushë”, tha ndër të tjera, ambasadori francez. Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti me këtë rast u shpreh: “Ishte një takim i frytshëm dhe i rëndësishëm, ngase Franca është një shtet i rëndësishëm dhe i fuqishëm i BE-së. Vetë ardhja e ambasadorit francez në Universitetin tonë tregon për mbështetjen e fortë të saj lidhur me dëshirën tonë të kamotshme për hapjen e katedrës së gjuhës frënge, e cila do të funksionojë në kuadër të katedrave të gjuhëve të huaja”. “Në të ardhmen do të kemi nevojë për kuadro që do të flasin gjuhën frënge, por edhe të tjera si atë gjermane, angleze etj., që është nevojë e kohës gjatë angazhimit në vende të reja të punës. Prandaj, është shumë e arsyeshme që ne t’i orientojmë synimet nga BE dhe të mbështesim katedrën e gjuhës frënge, si dhe të gjithë katedrat tjera”, theksoi rektori Bexheti, duke falënderuar ambasadorin për mbështetjen e fuqishme që bëri sot në aspektin e dhënies së kuadrove, hapjes së dyerve për të lëvizur lirshëm kuadrot e këtushme në Francë, si dhe në universitetet e tjera ku flitet frëngjishtja. “Në kuadër të Universitetit tonë kemi qendër të gjuhëve të huaja, e cila funksionon në bashkëpunim me Universitetin e Shkupit, për të nxjerrë kuadro që do të marrin vetëm diploma profesionale”, nënvizoi rektori Bexheti, duke u bërë apel të gjithë studentëve dhe nxënësve të cilët do t’i kryejnë maturat dhe kanë interesim për gjuhën frënge, nga viti i ardhshëm akademik do të mund të regjistrohen në Katedrën e gjuhës frënge.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.