6

Fakulteti Teologjik dëshiron të hyjë nën ombrellën e USHT-së

Mësim-besimi në shkollat fillore ishte temë e “Debatit Universitar”, që organizohet për cdo javë (e enjte) në amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, në bashkëpunim me Televizionin Shtetëror të Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe. Mysafirë të këtij emisioni debatues ishin Sulejman ef. Rexhepi, kryetar i Bashkësisë Islame në Maqedoni, dr. Xheladin Murati, profesor i Fakultetit Pedagogjik në Shkup dhe Fahrudin Hebibi, dekan i Fakultetit Teologjik në Shkup.

Kryetari i BIM, Sulejman ef. Rexhepi, vlerësoi si të nevojshëm mësim-besimin nëpër shkolla. “Mësim-besimi në shkollat fillore është në interes të të gjithëve dhe është një nevojë e kohës. Për këtë cështje, që në vitin 1996 ishte realizuar një takim me përfaqësues të partive politike, por nuk ishte arritur rezultat pozitiv. Më vonë, në vitin 1999 ishte realizuar një takim me pedagogët shqiptarë dhe teologët, në të cilin ishin arritur disa përfundime. Që atëherë, një punë e vazhdueshme solli rezultate pozitive, në mënyrë që nga viti i ardhshëm shkollor të mund të aplikohet në shkolla edhe mësimi fetar”, tha kryetari i BIM-it, Sulejman ef. Rexhepi. Prof. dr. Xheladin Murati tha se për një temë të ndjeshme është vështirë të jepet përgjigje e prerë. “Duhet rikujtuar se para vitit 1947 nëpër shkolla është mbajtur mësim-besimi fetar, por sistemi i atëhershëm e kishte ndërprerë”, theksoi prof. Murati, duke parashtruar pyetjen nëse do të kishte efikasitet që të mësohet si lëndë zgjedhore, me vetëm një orë mësimi në javë, ndërkohë që në shtetet perëndimore me përjashtime të vogla është lëndë e obliguar dhe mësohet nga klasa e parë deri në të nëntën.

Dekani i Fakultetit Teologjik, prof. Fahrudin Hebibi, tha se mësim-besimi fetar do të ngrit vetëdijen tek nxënësit. “Në kuadër të mësimit fetar është planifikuar që të ligjërohet edhe për disa cështje të tjera, si mbi krijimin e gjithësisë, jetën e profetit Muhamed, pjesë nga morali, pesë shtyllat kryesore të fesë, si dhe në përgjithësi për historikun e feve. Gjatë debatit, kryetari i BIM-it, Sulejman ef. Rexhepi shprehu dëshirën e tij që Fakulteti Teologjik në Shkup të hyjë nën ombrellën e Universitetit Shtetëror të Tetovës, duke nënvizuar se këtij fakulteti i duhet një inkorporim në një sistem universiteti, duke pasur parasysh se BIM-i ishte e para që hapi dyert Universitetit të Tetovës gjatë themelimit, kur i kishte lëshuar zyrat e saj në Poroj, për ligjëratat e studentëve dhe për profesorë, ndërkohë që kishte financuar për dy vjet edhe revistën “Studenti”. Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti, tha se e përkrah një iniciativë të tillë, por për këtë gjë duhet pjekur kushtet.

Rektori Bexheti bëri të ditur se me procesin e Bolonjës shumë plan-programe nuk përputhen mes universiteteve në vend, aq më shumë me ato të BE-së, andaj duhet kjo punë të realizohet me kujdes të vecantë.

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.