6

Numërohen ditët e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Në debatin e fundit nga cikli i debateve universitare organizuar nga RTVM, emisioni në gjuhën shqipe dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës, të mbajtur më 31.05.2007 (të enjten) të ftuar ishin: Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, kryetari i komisionit parlamentar për politikë të jashtme të Shqipërisë, Prec Zogaj dhe ministri i arsimit dhe shkencës së Republikës së Maqedonisë, Sulejman Rushiti. Mysafirët e debatit informuan për qëndrimet e pushteteve që përfaqësojnë, për statusin e Kosovës, mbi shtyllat ku do të mbështetet pavarësia e Kosovës dhe veprimet politike aktuale.

Vëmendje e vecantë iu kushtua edhe angazhimeve të partive politike shqiptare mbi këtë cështje dhe rolin dhe përgjegjësinë e tyre rreth statusit të Kosovës. Zëvendës-Kryeministri i Kosovës, z. Lutfi Haziri deklaroi se statusi i Kosovës, përkundër vështirësive të hasura, është duke u numëruar me ditë dhe se e gjithë kjo është rezultat i një rruge të gjatë dhe të mundimshme angazhimi ky i filluar qysh nga vitet e 80-ta. Rreth mundësisë së paraqitjes së problemit të vendosjes së vetos nga ana e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi miratimin e planit Ahtisari, Haziri la të kuptojmë se të gjitha opsionet janë të mundura duke mos përjashtuar edhe njohjen e njëanshme nëse ndodh një gjë e tillë.

Ndër të tjera deklaroi se Kosova në një apo tjetër mënyrë është në rrugë të pavarësisë së saj, integriteti territorial i së cilës është i mbrojtur sipas kufijve të paraparë administrativ të Kushtetutës së Jugosllavisë së atëhershme të vitit 1974, ndërsa Beogradi herët a vonë do ta pranoj realitetin mbi Kosovën. Kryetari i komisionit parlamentar për politikë të jashtme të Shqipërisë, z. Prec Zogaj informoi mbi angazhimet e vazhdueshme të qeverisë së Shqipërisë në mbështetje të Kosovës e sidomos në mbështetje të Planit Ahtisari dhe përshpejtimin e përfundimit të statusit të Kosovës.

Zogaj potencoi se parlamenti shqiptar ka miratuar tre rezoluta radhazi në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, respektivisht të planit Ahtisari, se qeveria e Shqipërisë duke luajtur rolin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës kontribuon rreth zgjidhjes së statusit. Ministri i arsimit dhe shkencës i Republikës së Maqedonisë, z. Sulejman Rushiti u përqendrua në rolin e partive politike shqiptare në Maqedoni ndër vite, ndikimit dhe përgjegjësive të tyre rreth statusit të Kosovës, duke potencuar se ekziston dallim i theksuar mes partive të djathta e të majta si te ato shqiptare ashtu edhe atyre maqedonase. Sipas tij, ekziston një lidhje historike mes partive të djathta në rajon mbi konstruktivitetin politik, e sidomos rreth cështjes së Kosovës dhe se Qeveria e Maqedonisë do të përkrah pavarësinë e Kosovës e jo cilëndo marrëveshje që arrihet gjatë bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit duke aluduar në qëndrimin e qeverisë së mëparshme. Në debat ishin të pranishëm edhe analisti politik, z. Mentor Nazarko nga Shqipëria dhe Qani Nuhiu, profesor në USHT dhe analist politik, që nxitën disa tema rreth qëndrimeve të qeverive, faktorëve që ndikojnë mbi statusin e Kosovës, mbi fenomenin e pranisë së fundamentalizmit fetar, aplikimit të parimeve të së drejtës ndërkombëtare në mbështetje të pavarësisë së Kosovës etj. Në debat u kycën edhe profesorë të USHT, studentë të universitetit e nxënës nga shkolla të mesme, duke rrumbullakuar kështu temën e debatit universitar.

Si pjesë e këtij organizimi, dy studentë nga Fakulteti i Artit Figurativ të USHT-së pikturuan portretet e të ftuarve në debat, duke e bërë këtë debat më artistik dhe me interesant.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.