6

USHT hapë dyert për maturantët

Universiteti Shtetëror i Tetovës (USHT) ka hapur dyert të enjten për maturantët dhe prindërit e tyre, si dhe për të interesuarit e tjerë, që të njihen me kushtet dhe ambientin ku studiojnë akademikët e ardhshëm të këtij universiteti, manifestim ky që do të vazhdojë edhe të nesërmen, të premten, më 11 maj. Maturantë dhe të gjithë të interesuarit e tjerë, në manifestimin “Ditët e hapura” (Open days), patën rastin që të informohen në detaje për ndryshimet programore në USHT, për hapjen e drejtimeve të reja që janë pjesë e programit të rektorit prof. dr. Sadi Bexheti, i cili është bartës i reformave që do të ndodhin në këtë institucion universitar. Sipas rektorit Bexheti, ky Universitet është një “portë e madhe” dhe e hapur për të gjithë pa dallime etnike, fetare, gjinore apo racore.

Universiteti ka atë reputacion dhe cilësi akademike, si dhe infrastrukturë të duhur për të përballur fluksin e kandidatëve që aspirojnë të jenë studentë të ardhshëm. Ky Universitet ofron të gjitha kapacitetet intelektuale dhe të kuadrove në përmbushjen e misionit të tij.

Ai ka ftuar të gjithë që të studiojnë në këtë Universitet, për shkak se ky është tempulli i dijes, që korrespondon me rrjedhat evropiane dhe ato botërore. Shefi i Zyrës për mësim dhe politikë regjistruese, Qufli Osmani ka bërë të ditur se në kuadër të hapjes së drejtimeve të reja, edhe Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik do të ketë shkrirje të drejtimit të përgjithshëm në ato të fushave më specifike, si marrëdhëniet ndërkombëtare, studimet e gazetarisë, drejtimi gjyqësor, administrativ etj. Nga viti akademik 2008-2009, do të startojnë programet studimore të Stomatologjisë dhe Mjekësisë së përgjithshme.

Në drejtimin e Ndërtimtarisë bëhet degëzimi në drejtime të reja atraktive, ndërsa Arti Dramatik do të jetë drejtim i ri, duke përfshirë edhe gjuhën frënge dhe drejtimin e përkthyesve. Në vitin e ri akademik do të bëhet një reformim i planeve mësimore, që janë kompatibile me zhvillimet më të reja në fushën e arsimit në Evropë, ku koncepti arsimor shkrihet në konceptin profesional. Kjo do të thotë se akreditimi i mëparshëm rreth përgatitjes së kuadrove për mësimdhënës plotësohet edhe me konceptin profesional dhe njëkohësisht i hap rrugë zhvillimeve të tjera. Universiteti krahas këtyre reformave në strukturën e planeve mësimore, do të ndërmarrë edhe reforma të tjera që për studentët e ardhshëm do të jenë më të kapshme. Prezantimi i këtyre reformave tashmë po bëhet në të gjitha shkollat e mesme të Maqedonisë dhe kjo punë do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme. Të njëjtën gjë mund ta përcjellin të interesuarit e tjerë nga Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera nëpërmjet faqes së internetit, theksoi Qufli Osmani. Kryetari i Unionit të Studentëve të USHT-së, Kushtrim Ahmeti tha se të premten në mbrëmje, më 11 maj, në USHT do të organizohet një party (aheng) për maturantët dhe nxënësit e shkollave të mesme, ku do të kenë rastin që të takohen me kolegët e tyre për të shkëmbyer më shumë informacione rreth studimeve në këtë Universitet. Me këtë rast, në manifestim do të marrin pjesë këngëtarë të ndryshëm të estradës shqiptare, pos të tjerëve edhe Selami Kolonja dhe Bajramali Idrizi, të cilët edhe janë ligjërues në USHT, si dhe Labinot Tahiri dhe Zajmina. Sanije Haruni, maturante në Shkollën e Mesme të Ekonomisë në Tetovë, në “Ditët e hapura” në USHT kishte parë për së afërmi të gjitha zhvillimet në këtë institucion dhe ishte informuar më shumë për fakultetin të cilin ajo e ka zgjedhur për studime. Erdha të marr më shumë informacione, pasi që jam përcaktuar që të jem studente e USHT-së në Fakultetin Ekonomik, tha ajo gjatë qëndrimit në ambientet e këtij universiteti. Edhe Naim Xhaferi, maturant tha se “i pëlqejnë shumë programet studimore në USHT, edhe pse ende nuk ka vendosur se në cilin fakultet do të regjistrohet, por si më atraktive i shef drejtimin e Mekatronikës, si programin studimor të Informatikës dhe të fizikës”.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.