6

Maturantët përmes këngës shijuan atmosferën festive në USHT

Në organizim të Unionit të studentëve të USHT-së, më 11 maj 2007 (e premte), para Rektoratit të universitetit, për maturantët e shkollave të mesme të vendit, u mbajt një aheng (party), me këngëtarë të shquar të estradës shqiptare.

Nxënësit i përshëndeti profesor Senad Abdyli, i cili tha se ky manifestim i cili është kurorëzim i aktiviteteve për promovimin e fushatës sonë, besojmë se do të jetë një nxitje më shumë për ju që të vendosni për fatin tuaj duke u bërë pjesë e këtij universiteti, i cili u garanton studime cilësore dhe nivel akademik të barabartë me moshatarët tuaj gjithandej në Evropë dhe botë. “Na gëzon fakti për interesimin që kanë treguar të gjitha shkollat e mesme nga vendi dhe rajoni, nxënësit e të cilëve shpresojmë se do të jenë pjesë e jona dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e proceseve edukativo-arsimore.

Besojmë se në një të ardhme të afërt do të bëheni qytetarë akademikë të këtij tempulli dhe forcë e ndryshimeve dhe progresit”, tha në fund Abdyli. Kryetari i Unionit të Studentëve të USHT-së, Kushtrim Ahmeti tha se “jeni para momenteve vendimtare, kur duhet të vendosni se ku pas maturës, sepse të gjithë ne kemi qenë në një situatë të ngjashme. Ne jemi këtu që t’ju ndihmojmë juve, t’ju tregojmë se cka ne ofrojmë dhe para se gjithash t’u themi ejani në USHT”.

Ahmeti nënvizoi se vetëm në USHT aspirata e tyre mund të bëhet realitet, por njëkohësisht është kënaqësi dhe nder të jesh pjesë e këtij institucioni të lartë arsimor. Në këtë eveniment kulturor, që kishte për qëllim që të afrojë maturantët me studentët e Universitetit, kaloi në një atmosferë festive, ku të gjithë së bashku vallëzonin nën tingujt e muzikës, manifestim ky që zgjati për tre orë.

Këtë aheng e nderuan me prezencën e tyre këngëtarët nga Shqipëria, Elvisi dhe Zajmina, Labinot Tahiri-Labi nga Kosova, të cilët u mundësuan nga koorganizatorët, nga diskoteka “Golden Gate”, si dhe Bajramali Idrizi nga Maqedonia, të gjithë këto të përcjellë nga grupi AS-Band.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.