Lajme:

 

Dr. Nebi Dervishi  

                             Përkujtesë

Në vigjilien e 100 vjetorit të Kongresit të dytë të Manasirit
                       (2-3.04.1910-2010)

 

Më 2-3 prill 2010 mbushen plotë 100 vjet të Kongresit të Dytë të Manastirit që ka një vend nderi në panteonin e historisë tonë kombëtare, nga më të vjetrit komb të Ballkanit, ngjarje kjo që shpreh një moment të rëndësishëm, një aspekt të shënuar të luftës shekullore të kombit për kulturën kombëtare, për pavarësinë e prosperitet, si një ndër aksionet me rëndësi të Rilindjes sonë, në fazën e fundit në prag të shpalljes së Pavarësisë gjysmake të Shtetit Shqiptar, si dhe me rëndësinë e veçantë që pati ky Kongres, për kuptimin që pati e gjurmët që la plot një shekull më pas.
Në gjendjen e acaruar të mardhënieve shqiptaro-turke, kur konflikti me xhonturqit për çështjen e kulturës shqiptare kishte arritur kulmin e tij, atdhetarët shqiptarë mblodhën një kuvend tjetër mbarëkombëtar, Kongresin e Dytë të Manastirit, jo më pakë i rëndësishëm se i pari. Ky tubim u thirr përsëri me nismën e klubit “Bashkimi” të Manastiri dhe i zhvilloi punimet nga 2-3 prilli 1910, në sallën e Klubit “Dituria”, në një gjendje tepër të  nderë, kur konflikti i shqiptarëve me xhonturqit, për shkak të alfabetit të gjuhës shqipe, kishte arritur pikën e tij kulmore, kur në të gjithë vendin ishte përhapur një lëvizje popullore kundër përpjekjeve të xhonturqve për t’u imponuar shqiptarëve alfabetin arab.
Në Kongres morën pjesë 21 delegatë, që përfaqësonin 34 klube e shoqëri të vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, si dhe klubet shqiptare të Selaniku, të Stambollit e të qendrave të tjera.
Ndryshe nga kongreset e mëparshme kombëtare, në këtë kuvend burrash pati në numër mjaft të madh delegatësh nga qytetet e vilajeteve të Manastirit dhe të Kosovës, si nga Shkupi, Dibra, Struga, Ohri, Tetova, Gjakova, Peja, Gjilani, Mitrovica, Vushtrria etj. Në mesin e delegatëve ishin: Dervish Hima, Fehmi Zavalani, Petro Nini Luarasi, Ferit Ypi, Bedri Pejani, Qamil Shkupi, Gjergj Qirijazi, Themistokli Gërmenji, Tefik Panariti, Abdulla Efendi Gojdrimasi, Rexhep Mirovica, Xhafer Kolonja, Qazim Iliaz Dibra, Hajdar Bloshmi, Bejtulla Gjilani, Hsni Curri, Xhelal Beu, Sabid Beu, Ali Zaimi, Ibrahim Beu, etj.
Sikurse dëshmon “Zëdhënia” që klubi “Bashkimi” i Manastirit shpërndau me këtë rast, qëllimi i këtij Kongresi ishte të diskutonte çështjet që kishin të bënin me mbrojtjen e shkollës, të shkrimit e të kulturës kombëtare si dhe kundër reaksionit dhe politikës asimiluese xhonturke (turqve të rinj). Kongresi do të merrte masa të mëtejshme për zgjerimin e rrjetit të shkollave shqipe dhe për zhvillimin e kulturës shqiptare në tërësi.
Kongresi i Dytë i Manastirit ishte një manifestim politik e Kombëtar shqiptar. Si në fjalimet e delegatëve, ashtu edhe në vendimet e Kongresit u shpreh protesta kundër përndjekjeve që po u bëheshin shkollës e alfabetit shqip nga Komiteti Qendror ”Bashkim e Përparim” dhe nga Porta e Lartë.
Rilindësi Dervish Hima (Ibrahim Naxhi- Spahiu) nga Struga-Ohri pas Hyrjetit 1908 do të theksonte se ”Shqiptarët janë një komb i veçantë nga turqit, dhe si i tillë ka të drejtë të ketë gjuhën, shkrimin dhe kulturën e tij kombëtare”. Këtë pasuri të madhe të shqiptarëve ai do ta mbronte, jo vetëm nëpërmjet shtypit, por edhe me veprimtarinë e gjerë e të dendur që zhvilloi në manifestimet më të rëndësishme kombëtare, një nga të cilat ishte edhe Kongresi i Dytë i Manastirit.
Dervish Hima, që mbajti edhe fjalën e hapjes në Kongres, foli ”për nevojat e zhvillimi të arsimit, të përhapjes së diturisë dhe përparimi të kombit shqiptar. Ai dhe delegatë e tjerë, si Tefik Panariti, Ferit Ypi etj., kritikun Komitetin Qendror ”Bashkimi e Përparimi”, i cili në kundërshtim me premtimet që u kishte bërë shqiptarëve, po u mohonte të drejtën e arsimit kombëtar dhe të përdorimit të lirë të gjuhës shqipe, ndërhynte egërsisht në çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, si në rastin me Kongresin e Dibrës Korrik 1909, në shkollat shqipe në Shkup, etj, që ishte një e drejtë e natyrshme e njerëzore si për çdo popull.
Ky qëndrim jezuit i xhonturqve, në Kongres nga delegatët u cilësua si një përpjekje për të përçarë shqiptarët sipas dasive fetare, për të osmanizuar myslimanët shqiptarë dhe për të penguar përparimin kulturor dhe emancipimin politik të kombit shqiptar. ”Na kanë shpallur luftë në fushën e shkronjave”, thekson Dervish Hima, në Kongres, prandaj ”Ne që jemi mbledhur këtu, bashkë me gjithë atdhetarët shqiptarë, do t’i mbrojmë me çdo mjet shkronja tona kombëtare...”
Kongresi tërhoqi vëmendjen e gjithë atdhetarëve shqiptarë për rrezikun e shkombëtarizimit dhe të aneksimit të territoreve të Shqipërisë nga shtetet fqinje, nga Serbia, Bullgaria e Greqia. Serbia u tha në Kongresin e Dytë të Manastirit, duke ndjekur një politikë shoviniste, synonte të pushtojë Kosovën, të cilën e ka pagëzuar me emrin ”Stara Serbia”, ndërsa qarqet politike mjetet, duke përdorur klerikët ortodoksë konservatorë e progrekë, shkollat e mësuesit grekomanë, të asimilojnë shqiptarët e krishterë dhe të aneksojnë territoret e Shqipërisë së Jugut.
Aktet kryesore të Kongresit të Dytë të Manastirit ishin Programi prej (10) pikash dhe një Promemorie prej katër pikash, që iu dërgua qeverisë turke. Në këto dokumente parashikoheshin masa të rëndësishme për zhvillimin e arsimit kombëtar, për mbrojtjen e alfabetit të shqipes, për botimin e librave dhe të teksteve shkollore shqipe. Për t’i realizuar këto qëllime do të ngrihej pranë klubit qendror (tani ishte caktuar klubi ”Bashkimi” i Stambollit) një komision kulturor-arsimor, që në Program quhej Akademi, i cili do të merrej me botimin e teksteve shkollore, të veprave letrare dhe të një fjalori shqip-turqisht e anasjelltas. Në Shkup parashikohej të hapej një shkollë normale me konvikt, e ngjashme me atë  të  Elbasanit, dhe të themelohej këtu një gazetë e re në shqip e turqisht, me anën e së cilës do të informoheshin shqiptarët dhe opinioni publik evropian për ngjarjet e rëndësishme që po zhvilloheshin në këtë vilajet. Kongresi ngarkonte klubet dhe gjithë atdhetarët shqiptarë që të punonin  për zgjerimin e mëtejshëm të rrjeti të shkollave shqipe, për sigurimin e lokaleve shkollore, të mësuesve dhe të mjeteve të nevojshme financiare.
Në Promemorien prej katër pikash, që iu dërgua Portës së Lartë, parashtroheshin këto kërkesa:
1. Të jepej liri e plotë për mësimin e gjuhës shqipe, në përputhje me të drejtat kushtetuese
2. Të mënjanoheshin të gjitha pengesat që nxirrnin autoritetet shtetërore për zhvillimin e lirë të kombit shqiptar dhe veçanërisht të mos lejohej asnjë lloj ndërhyrjeje në mënyrën e mësimit të gjuhës kombëtare (shqipe), duke ua lënë të drejtën e zgjidhjes së alfabetit të shqipes, siç qe vendosur në Kongresin e Dibrës, mësuesve shqiptar;
3. Të caktohej nga qeveria një subvencion për shkollat e të krishterëve shqiptarë, për t’i shkëputur ato nga ndikimi i Greqisë dhe t’i kërkohej Patrikanës nga Porta e Larë që të lejonte përdorimin e gjuhës shqipe gjatë predikimit në kisha;
4. Promemoria ngarkonte klubin qendror shqiptar që të këshillohej me Shejhylislamin rreth ”dëmit” që gjoja i shkaktohej fesë myslimane nga përdorimi i alfabetit latin për mësimin e shqipes.
Në Kongresin e Dytë të Manastirit, ashtu si në ato të mëparshmet, në një konspiracion të plotë u mbajtën edhe mbledhje të fshehta, në të cilat u diskutuan çështje të tilla politike, siç ishin: forcimi i komiteteve të fshehta dhe masat që duheshin marrë për përgatitjen e një kryengritje të përgjithshme e cila do të bëhej realitet në vitin 1912.
Kongresi i Dytë i Manastirit, ashtu si mitingjet, protestat dhe manifestimet e tjera që u zhvilluan në Shqipëri, në pragun e këtij kuvendi, në shkurt – mars të vitit 1910, shprehën vendosmërinë e shqiptarëve për mbrojtjen e shkrimit shqip, të shkollës dhe të kulturës kombëtare në tërësi. Ato ishin, njëherazi, një paralajmërim për kryengritjen e armatosur që do të shpërthente në pranverën e 1910.
Kongresi i Dytë i Manastirit përbënë një nga monumentet kulmore të kthesës në historinë e Lëvizjes kombëtare çlirimtare, ku mbarë populli shqiptar u hodh në rrugën e guximshme të luftës së armëve e të mendimit për të flakur tej zgjedhën e huaj, si dhe për të siguruar të drejtat themelore për liri e tokë, drejtësi e përparim. Ajo përbën një nga ato ngjare që shtojnë krenarinë kombëtare, sepse edhe në këtë kuvend burrat e zgjedhur u përpoqën për të ngritur në një shkallë më të lartë Lëvizjen Kombëtare, ku në mes tjerash u trasua edhe shpallja e pavarësisë që nuk vonoi më 28 nëntor 1912.
Duke parë rëndësinë dhe peshën e madhe kombëtare të Kongresit të Dytë të Manastirit, jo më pak i rëndësishëm  se i pari, në këtë 100 vjetor Instituti i Trashëgimive Kulturore ”Pjetër Pogdani” ose si parapëlqehet të thirret nga disa intelektualë Instituti Albanologjik në Shkup, duhej të kishte bërë tanimë parapërgatitjet për ta shënuar këtë ngjare në Manastir.
Po e përfundoj me mendimin se , një popull që nuk përkujton të kaluarën dhe nuk respekton  plejadën e atdhetarëve, që sakrifikuan për kombin në kohërat më të vështira, duke falur gjënë më të shtrenjtë, djersin e gjakun, nuk dinë të ndërtoj të sotmen dhe as nuk mund ta programojnë të ardhmen

 

27 shkurt 2010            Dr. Nebi Dervishi

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000