6

Promovohet libri “A është deterministe teoria kuantike” nga prof. dr. Rexhep Meidani

 

Në amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, para stafit akademik, studentëve dhe mysafirëve të tjerë, në mesin e të cilëve edhe akademik Rexhep Qosja, kritiku letrar Ali Aliu, poetesha Flora Brovina etj., ish-presidenti i Shqipërisë dhe ligjëruesi i USHT-së, prof. dr. Rexhep Meidani, promovoi më 16.04.2007 (të hënën) librin e tij: “A është deterministe teoria kuantike”. Ky libër filozofik-shkencor i prof. Meidanit do të jetë në shërbim të profesorëve dhe studentëve të universitetit, si dhe të studiuesve të tjerë. Këtë promovim të librit të prof. dr. Rexhep Meidanit e përshëndeti rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti, i cili tha se me këtë promovim libri është bërë një nder i madh këtij universiteti. “Nuk kam shumë njohuri nga lënda e fizikës, por mund të them që është një lëndë ekzakte.

Pos që është një tekst ekzakt shkencor, libri ka të bëjë edhe me shkencat humane, respektivisht me filozofinë”, theksoi rektori Bexheti. Prof. dr. Lutfi Istrefi, në falën e tij, tha: “Libri i Rexhep Meidanit është një tekst shkencor-filozofik, që përmban një dialog shumë të thellë në këtë fushë. Teksti ngërthen periudhën antike e deri në kohën moderne, ku shqyrtohet problemi i determinizmit dhe rastësisë si një binom filozofik”. Botuesi nga TOENA e Tiranës, Fatmir Toci tha se “është nder që kjo shtëpi botuese ka nxjerrë në dritë librat e profesor Rexhep Meidani.

Ai është një figurë e njohur jo vetëm politike, por edhe shkencore, duke dhënë një shembull se si duhet vazhduar jeta e një ish-presidenti. Meidani është një nga figurat më të shquara shqiptare të këtyre viteve edhe në shumë universitete botërore, ku është anëtar nderi”. Profesor Rexhep Meidani, duke folur për librin e tij, vuri në dukje se ka bërë një analizë më të thellë mbi procesin e njohjes shkencore të fizikës, perceptimin e Ajnshtajnit në këtë proces, problemet që dalin në mikrobotë, matjet mikroskopike, perceptimi kuantik dhe jo kuantik, kërcimi kuantik, natyra e dyfishtë (valore-grimcore), komplementariteti sipas Bohrit, aspekti fizik dhe mendor në fizikë, evolucioni i determinizmit etj. Libri i prof. dr. Rexhep Meidanit ngërthen në vete dualizmin shkencor dhe atë human, pavarësisht pozicionimit relativisht kontradiktor midis realitetit dhe plotësisë, të cilin e ka shtruar N. Bohri, me gjithë lëkundjet e tij ideore-filozofike. Ai pranon ekzistencën e një papajtueshmërie midis faktit dhe logjikës, duke u luhatur edhe midis realizmit dhe jo realizmit. Me rastin e këtij promovimi, prof. dr. Rexhep Meidani pranoi edhe dhurata nga studentët e Universitetit Shtetëror të Tetovës.  

 

                            

 

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.