USHT-ja shënon 13 vjetorin e themelimit
Tetovë, 17 dhjetor - Përvjetori i 13 i themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, është shënuar me një akademi solemne në Qendrën për Kulturë në Tetovë. Me këtë rast, në mbrëmjen e së hënës të pranishëm kanë qenë zëvendëskryeministri për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, z. Imer Aliu. zëvendëskryeministri Zhivko Jankullovski, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Sulejman Rrushiti, ai i Planifikimit Hapësinor dhe Ambientit Jetësor,z. Xhelil Bajrami, zëvendësministrat Refet Elmazi dhe Iljaz Halimi si dhe deputetët Ruzhdi Matoshi dhe Daut Rexhepi-Leka.
Për të nderuar këtë rast, kishin ardhur edhe Rektori i Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” nga Manastiri, prof. dr. Zllatko Zhoglev, prorektori i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, prof. dr. Velimir Stojkovski, si dhe prorektori i UEJL-it, prof. dr. Zamir Dika. Poashtu në këtë akademi solemne të pranishëm kanë qenë përfaqësues të USAID-it, Aleancës Franceze, një numër i madh i profesorëve studentëve dhe stafit akademik.
Me këtë rast fjalën e mori Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës prof. dr. Sadi Bexheti, i cili tha se USHT, në 13 vitet e saj ka shënuar ngritje dhe rënie, por në asnjë moment nuk është përjetuar më i plotë dhe më i konsoliduar, duke theksuar se zhvillimin dhe dimensionimin e USHT-së e përshkojnë tre faza. ”Periudha dhjetë vjeçare e funksionimit para zyrtarizmit të tij, periudha pas 2004 respektivisht pas zyrtarizmit dhe periudha pas vitit akademik, 2006/07, periudhë në të cilën universiteti mori fizionomi të re.
Viti që e lëmë pas ka përfshirë ndoshta reformat më të mëdha që universiteti ka përjetuar gjatë historisë së tij, si reforma akademike ashtu edhe administrative por nuk kanë munguar edhe iniciativat e reja të cilat ndihmojnë USHT-në në përmbushjen e qëllimit kryesor të tij”, ka thënë Rektori Bexheti. Ai më tej foli edhe për dimensionimin dhe avancimin e Universitetit, që siç tha ai, mbështeten në katër shtylla kryesore. “Brenda një viti akademik arritëm të bëjmë akreditimin e programeve studimore dhe më pas shumë student rregulluan statusin e tyre dhe në vitin akademik 2007/08, universiteti startoi me 30 programe studimore 85 drejtime të ndryshme të shpërndara në 10 fakultete.
Për një kohë të shkurtër nga MASH u lejuan 230 vende pune dhe stafin akademik e përbëjnë 269 mësimdhënës të rregullt dhe 355 mësimdhënës të angazhuar me part time” ka thënë Rektori i USHT-së. Sipas tij për ndërtimin e objektit të Fakultetit Juridik dhe Ekonomik, qeveria e Maqedonisë ka ndarë rreth 6 milion euro mjete financiare për objektin i cili është në ndërtim e sipër. Ai ka potencuar se përqendrimi i fakulteteve në një kampus universitar në përbërje të cilit do të jenë objekti për akomodimin e studentëve, magjistrantëve, doktorantëve, specializantëve sportive, biblioteka universitare, qendra bashkëkohore kompjuterike ndërtimi i laboratorëve dhe shumë investime tjera.
Prof. dr. Bexheti, në fund ka thënë se Universiteti para se gjithash mban përgjegjësi historike për krijimin e sistemeve të reja vlerave, në veçanti në arsim shkencë dhe kulturë të cilët paraqesin shtyllë për zhvillimin dhe prosperitetin e gjeneratave të reja. Më pas, të pranishmëve i`u drejtua Minsitri i Arsimit dhe Shkencës, z. Sulejman Rrushiti, i cili tha se Universiteti i Tetovës gjatë ekzistimit të tij ka hasur në shumë vështirësi dhe popullata shqiptare në Maqedoni së bashku me inteligjencën themeluan një universitet të cilin e ngritën atë dhe e ruajtën duke ndarë nga buka e gojës sepse arsimi është rruga e vetme drejt të zhvillimit të një populli dhe çuan në vend amanetin e rilindësve tanë. Këtë akademi solemne e përshëndetën zëvendëskryeministri Zhivko Jankullovski dhe Rektori i Universitetit të Manastirit. Ndërkaq, gjatë shënimit të përvjetorit të 13-të të Universitetit Shtetëror të Tetovës Rektori Bexheti dhe Ministri Rrushiti, ndanë diploma për disa studentë. Akademia solemne është përcjellë me program të pasur muzikor, me shumë pika të interpretuara nga: soprano Besiana Mehmeti, Ana Gacova, tenori Selami Kolonja, Blerim Grubi dhe kori i USHT-së nën dirigjimin e Agon Xhemailit.
Zyra për informim e USHT-së
|
WEB MAIL Sign in apo Regjistrohu




