Universiteti Shtetëror i Tetovës:

Universiteti Shtetëror i Tetovës
rruga e Ilindenit pn, 1200 Tetovë, Republika e Maqedonisë
Tel: +389 44 356 500
Fax: +389 44 334 222
e-mail:international@unite.edu.mk
Debat universitar: “Lustracioni” të pastroj të kaluarën komuniste
Tetovë, 31 janar 2008 - Ligji për përcaktim të kushtit plotësues për ushtrim të funksionit publik, apo i njohur si “Ligji për lustracion”, ka qenë tema e radhës në Debatin Universitar. Të enjten në mbrëmje para auditorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe “TVM”-së, deputetët Garip Kaba, Tahir Hani dhe Stojan Andov, si dhe kryetari i Shoqatës të Burgosurve dhe të Dëmtuarve Politik Shqiptar (SHBDPSH), Shpëtim Pollozhani, kanë diskutuar për një ndër çështjet më të dhimbshme të historisë së re të popullit shqiptar në Maqedoni.
Tre deputetët dhe kreu i shoqatës së ish-të burgosurve kanë folur për rrjedhën e këtij procesi, përparësitë dhe dobësitë e Ligjit në fjalë si dhe mundësinë për tu miratuar Ligji për zhdëmtimin e ish të burgosurve politik. Deputeti i Partisë Liberale, Stojan Andov ka bërë një retrospektivë të gjithë asaj që është bërë për viktimat e komunizmit. “Këtij Ligji i paraprin Deklarata e Parlamentit me të cilën Parlamenti u kërkoi falje familjeve të vuajtura nga regjimi komunist. Propozimin tim e përkrahën 93 deputetë dhe Ligji u miratua një zëri me konsensus të plotë”, ka thënë deputeti Andov. Ndërkaq ai ka paralajmëruar se janë duke u bërë përgatitjet përfundimtare për Propozim-Ligjin për zhdëmtim të dëmtuarve nga regjimi komunist. Në anën tjetër kryetari i SHBDPSH, Pollozhani ka shprehur indinjatë për pozitën e ish-të burgosurve politik. “Është pozitive sjellja e këtij Ligji, megjithatë po ta vështrojmë brendinë e tij ka shumë gjëra që na dëshpërojnë.
Neni 23 është shumë diskriminues, me të cilin ish-të burgosurve u ndalohet që të marrin pjesë në komisionin e dosjeve”, ka thënë Pollozhani. Ai ka shprehur edhe vërejtje të tjera lidhur me këtë Ligj. “Gjatë përgatitjes të këtij Ligji ne kemi qenë të gjithë në komunikim të drejtpërdrejtë, për të bërë një Ligj sa më efektiv. Megjithatë jam skeptik se ky ligj do të mund të implementohet në Maqedoni, pasi ka të dhëna se shumë dosje janë zhdukur”, ka thënë deputeti i BDI-së, Tahir Hani. Deputeti i PDSH-së, Garip Kaba ka thënë se në këtë moment më e rëndësishme është se Ligji është miratuar. “Deri më tani ështe folur shumë, megjithatë asnjë forcë politike nuk arriti që të bëj asnjë hap në këtë drejtim. Kjo shumicë parlamentare mblodhi guximin dhe arriti të sjell Ligjin”, tha Kaba. Të pranishëm në debat kanë qenë edhe shumë ish-të burgosur si dhe përfaqësues të SHBDPSH-së, ndër të cilët edhe kryetari i degës së kësaj shoqate në Tetovë, Qebir Xheladini, djali i Shaban Xheladinit, një ndër personalitetet më të vuajtura nga sistemi komunist, njëherit themelues dhe kryetar i parë i SHBDPSH-së. Ai me shumë emocion ka folur për vuajtjet që kanë përjetuar shqiptarët nga regjimi.
“Miratimi i Ligjit asnjëherë nuk do të mund të fshij tragjeditë që kanë përjetuar shqiptarët nga ky sistem. Por me këtë ndoshta paraqitet një dritë shprese për kthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur të ish-të burgosurve politik”, tha Xheladini. Ai ka ilustruar këtë problematikë, duke marrë shembullin e Kroacisë, ku sipas tij, implementimi i këtij Ligji ka hasur në shumë barriera. Konkretisht, në vitet 70-ta, kur është burgosur presidenti Tugjman, sekretar republikan i punëve të brendshme ishte po i njëjti person i cili në Qeverinë e partisë së Tugjmanit ishte ministër i punëve të brendshme. Në debat ka marrë pjesë edhe deputeti Daut Rexhepi – Leka, sekretari i përgjithshëm i SHBDPSH-së, Zaim Beqiri, ish të përndjekur politik dhe familjarë të tyre dhe personalitete tjera. Gjatë emisionit janë shfaqur edhe storje filmike nga familjet Halili dhe Beqiri, dy familjet më të persekutuara në Tetovë. |
WEB MAIL Sign in apo Regjistrohu


