Lajme:

 

USHT edhe me një doktor shkence


Më 28 maj 2009, në Universitetin për ekonomi nacionale dhe botërore - Sofje, Afrim Alili e mbrojti tezën e disertacionit dhe fitoi titullin doktor i shkencave ekonomike. Afrimi Alili para Këshillit të specializuar shkencor në kuadër të Komisionit të lartë të atestimit, i përbërë prej 20 anëtarëve, u paraqit me temën “Menaxhimi i riskut të kredisë në sistemin bankar të Republikës së Maqedonisë”. 

 

Mbrojtja e disertacionit, unanimisht u vlerësua lartë dhe si e suksesshme nga ana Këshillit, që njëherësh është trup i themeluar nga Akademia e shkencave të Bullgarisë. Punimi shkencor-hulumtues trajton temë mjaft aktuale në sferën financiare dhe bankare të Republikës së Maqedonisë dhe më gjerë. Teza kryesore e disertacionit ishte se menaxhimi me riskun e kredisë mund të realizohet në mënyrë të suksesshme me ndihmën e metodave dhe modeleve për identifikimin dhe matjen e riskut kreditor. Autori i punimit shkencor konstaton se jo të gjithë klientët e bankës, varësisht nga boniteti i tyre financiar, do të ngarkohen me normë të njëjtë të premisë së riskut. Ai gjithashtu përmes punimit konstaton se risku i kredisë duhet të pranohet dhe përmes metodave të zbatueshme financiare ekonomike të menaxhohet nga ana e bankave, e jo nga ana e tyre të shmanget në vazhdimësi. Metodologjia që ka përdorur Alili në punimin shkencor-hulumtues është mjaft e gjerë. Ai ka përdorur metodat klasike hulumtuese, por edhe kombinim metodash statistikore-matematikore dhe ekonometrike për arritjen e qëllimit dhe zgjidhjen e detyrave të përcaktuara. Punimi është i ndarë në 4 kapituj: problemet teorike të riskut kreditor, risku kreditor gjatë menaxhimit të aktivës dhe pasivës së bankës, modelet dhe metodat e vlerësimit të matjes së riskut kreditor dhe vlerësimi i riskut kreditor gjatë lëshimit të kredive monetare.  Afrim Alili ka lindur në Gostivar më 15 dhjetor 1962. Përndryshe, Afrim Alili është ligjërues në Fakultetin Ekonomik në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe përgjegjës i zyrës për menaxhim me kualitet pranë USHT-së.

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000