Vazhdon përkrahja e italianëve për USHT-në
Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti “Shën Kliment i Ohrit” në Manastir, Universiteti “Goce Delçev” në Shtip, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së ujërave dhe Grupi ndërkombëtar për menaxhim (IMG) nënshkruan memorandum të përbashkët bashkëpunimi.
Memorandumi i bashkëpunimit i nënshkruar të hënën në Shkup synon përmirësimin e kushteve për shkollim si dhe vendosjen e kornizave juridike për angazhimin e studentëve për përgatitjen e projekteve për zhvillimin rural, kontrollin e cilësisë së ushqimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Rektori i Universitetit Shtetërorë të Tetovës (USHT), prof. dr. Sadi Bexheti, u shpreh se vazhdimi i këtij bashkëpunimi ndikon në ngritjen e kushteve në këtë institucion arsimor. "IMG si organizatë qeveritare e Italisë e përfaqësuar përmes ambasadës në Shkup deri më tani kanë rregulluar laboratorin e bioteknologjisë për analiza të produkteve ushqimore, ndërsa tani hyjnë në fazën e dytë, ku parashihet blerja e aparaturës për studentët.
Këto tre universitete së bashku me Ministrinë e Bujqësisë kanë filluar projekte shumë madhore nga të cilat janë punuar pjesë preliminare.
"Me këtë projekt USHT gradualisht është duke marrë një pamje të një universiteti Evropian", thotë Rektori Bexheti.

Përkrahja financiare e projekteve është siguruar nga drejtoria për bashkëpunim dhe zhvillim e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë me 3 milionë euro në kuadër të mbështetjes së decentralizimit në fushën e arsimit dhe kulturës, ndërsa menaxhimi i programit i është besuar IMG-së. "Jam shumë i kënaqur që gjendem këtu për ta vazhduar fazën e dytë të ndërtimit të objekteve të reja, të cilët do të jenë në të mirë të gjithëve, e sidomos në të mirë të studentëve", tha Roberto Rizo, përfaqësues i lartë i ambasadës së Italisë në Shkup. Ndërkaq, bashkëpunimi është përshëndetur nga Ministria e Bujqësisë që gjithashtu participon në projekt. "Është një projekt për rritjen e dijes tek studentët dhe ajo dije mundet të paraqitet më së miri në zhvillimin ekonomit dhe bujqësor. Ky memorandum jep një bazë të fortë për vazhdimin e bashkëpunimin edhe në projektet tjera. Ministria për Bujqësi vitin e kaluar ka aprovuar një projekt, i cili parasheh zhvillimin e pjesëve rurale, që është një bazë e fortë e ekonomisë vendore", tha Hristijan Delev, sekretar i përgjithshëm i MB-së.
Ndryshe, deri më tani IMG së bashku me Ambasadën e Italisë, në USHT ka ndërtuar Laboratorin Teknologjik për Fakultetin e Teknologjisë ushqimore dhe ushqimit.