
Lajme:
Takimi fillestar rreth projektit “Programe studimore ndëruniversitare të ciklit të dytë dhe tretë në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Maqedoni”
Në hapësirat e Rektoratit të USHT-së u organizua takim fillestar rreth projektit Tempus, të fituar nga Universiteti Shtetëror i Tetovës me titull “Programe studimore ndëruniversitare të ciklit të dytë dhe tretë në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Maqedoni”. Projekti do të realizohet në bashkëpunim me institucionet partnere: Universiteti i Gotebergut-Suedi, Akademia Diplomatike e Vjenës, Universiteti i Limozhës, University College Dublin, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, Universiteti i Evropës Juglindore, Instituti Ndërkombëtar për Paqe dhe Aleanca Franceze në Tetovë. Në takim u prezantuan pikat kryesore të projektit dhe aktivitetet e parapara për 3 vitet e ardhshme, sa edhe zgjat projekti. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësuesit e të gjitha institucioneve partnere. Përndryshe, ky është një nga projektet më të rëndësishme nga 8 projekte gjithsej sa ka fituar USHT këtë vit nga Komisioni Evropian. Në vijim paraqesim shkurtimisht qëllimet dhe aktivitetet e projektit.
Rreth projektit Ky projekt i Tempusit do të krijojë programe master dhe të doktoraturës të përcjellura nga një Institut për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Këto tituj do të ndahen bashkërisht nga tre institucionet arsimore në Maqedoni: Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” dhe Universiteti i Evropës Juglindore. Bartës i projektit dhe udhëheqës është Universiteti i Goteburg, Suedi. Partnerë të tjerë janë Akademia Diplomatike e Vjenës, Universiteti i Limozhës, dhe University College Dublin (UCD). Për më tepër, Instituti Ndërkombëtar për Paqe dhe Alianca Françeze në Tetovë do të mbështesin zhvillimin e kurrikulave të programeve dhe Institutit. Projekti vijon sipas planeve paralele të punës: themelimin e Institutit dhe zhvillimin dhe implementimin e kurrikulave.
Themelimi i Institutit Drejtori i Institutit, dr. Vesel Memedi bashkë me menaxherin e Institutit do të koordinojnë aktivitetet me përfaqësuesit e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” dhe Universitetit të Evropës Juglindore, për zhvillimin e Institutit. Aktivitete kryesore të institutit janë koordinimi dhe menaxhimi i programeve studimore, përcaktimi i objektivave dhe aktiviteteve strategjike planifikuese , akreditimi dhe ndarja e titujve, si dhe funksione tjera. Trajnim fillestar do të realizohet në Universitetin e Goteburgut në vitin e parë, Instituti Ndërkombëtar për Paqe do të asistojë në vitin e dytë dhe trajnim i përbashkët do të realizohet në vitin e tretë. Trajnimi përfshin metodologjitë e kërkimit, menaxhimin, planifikimin strategjik, menaxhimin e burimeve njerëzore, dhe udhëheqësinë. Për më tepër, aktivitetet fillestare të Institutit do të jenë të fokusuara në akreditimin e programeve/institutit nga Ministria e arsimit të RM-së.
Zhvillimi i kurrikulave/programeve studimore Programi master do të koncentrohet në: Zgjidhjen e Konflikteve, Komunikimin Ndërkulturor dhe Diplomacisë, si dhe Studime të Paqes dhe Sigurisë. Secili nga specializimet do të udhëhiqet nga një partnerë evropian në koordinim me një institucion nga Maqedonia. Aranzhimet institucionale janë: Zgjidhja e Konflikteve të udhëhequra nga Universiteti Goteburgut dhe USHT me asistencë nga University College Dublin; Diplomacia do të realizohet nga Akademia Diplomatike e Vjenës dhe Universiteti i Evropës Juglindore; Studimet e Paqes dhe Sigurisë nga Akademia e Vjenës, Instituti Ndërkombëtar i Paqes,Universiteti i Limozhës dhe Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” i Shkupit. Programi i doktoraturës PhD ka dy specializime mbi Zgjidhjen e konflikteve dhe Marrëdhënie diplomatike/të sigurisë të udhëhequra nga Universiteti Goteborg, respektivisht nga Akademia Diplomatike e Vjenës. Institucionet e Maqedonisë do të dërgojnë nga tre profesorë për specializime.
|




PROGRAMI ERASMUS 