Aktivistja dhe ndërmarrësja amerikane Anne E.W. Stone ligjëroi në USHT mbi procesin e zgjedhjeve në SHBA
05 qershor 2008 – Themeluesja e The Stone Group, Inc. znj. Anne E. W. Stone, një firmë private amerikane për krijimin e strategjisë së kampanjave dhe marrëdhënieve me publikun qëndroi në Universitetin Shtetëror të Tetovës me ndërmjetësimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup.

Me këtë rast, para studentëve ajo mbajti një ligjëratë me temë “Karakteristikat, dinamika dhe procesi i zgjedhjeve në SHBA”. Duke u përqendruar në sistemin aktual të zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, ajo bëri sqarime mbi procedurat e përzgjedhjes së delegatëve në shtetet amerikane, procedurën e zgjedhjes së kandidatëve presidencial në konventën nacionale dhe mbi sistemet e përzgjedhjes varësisht se si i praktikojnë shtetet, duke bërë krahasime dhe potencuar përparësitë dhe dobësitë e sistemeve përkatëse.

Zonja Stone u ndal edhe në fushatën aktuale parazgjedhore presidenciale në Amerikë dhe bëri disa përfundime. Sipas saj, demokratët në Amerikë kanë realizuar fushatën më të madhe në historinë amerikane për përzgjedhjen e kandidatit për president në radhët e partisë demokratike. “Edhe republikanët përbrenda tyre nuk kanë qëndruar larg kësaj gare të brendshme të fuqishme për përzgjedhje.” u shpreh Stone.
Më tej ajo përcaktoi edhe pikat kyçe të kësaj fushate në të dy blloqet politike, duke potencuar momentet më kryesore që sipas saj kanë ndikuar në rezultatin e përzgjedhjes së kandidatëve për president. “Obama përkundër përvojës së shkurtë si senator i Illionoisit, me një strategji të shkëlqyer, përmes shfrytëzimit të internetit, arriti të tërheq fonde marramendëse për fushatën e tij dhe arriti përfundimisht të përzgjidhet si kandidati demokrat për president i SHBA-ve. Nga ana tjetër kampanja e zonjës Klinton ka dështuar për shkak të konkludimit të parakohshëm se me datë 5 shkurt do të përfundoj gjithçka, duke injoruar kapacitetet e ekipit të Obamas.” potencoi zonja Stone.

Ligjërata pasoi me debat të hapur mbi çështjet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA ku u diskutuan edhe çështje si qasjet ideologjike të partive më të mëdha amerikane, qasjet e tyre ndaj çështjeve të caktuara si taksat, lobi, fuqia e tyre etj.
Zonja Anne Stone u shoqërua nga struktura të larta të Universitetit Shtetëror të Tetovës me çka realizoi edhe takime të veçanta pune.
Anne Stone udhëheq kompaninë private këshillimore për biznes dhe politikë, trajnime dhe analiza në më shumë se dhjetëra shtete evropiane si dhe në shtetet e Lindjes së Largët, Afrikës e Azisë Jugore. Ajo ka punuar si këshilluese dhe ambasadore e vullnetit të mirë në disa shtete. Njihet edhe si aktiviste në mbrojtjen e të drejtave të gruas dhe barazisë gjinore.