Debat universitar: Ministri i shëndetësisë Imer Selmani përballë studentëve
Tetovë, 6 dhjetor – Në emisionin e tretë të ciklit “Debati universitar në Universitetin Shtetëror të Tetovës”, përballë studentëve ka qëndruar ministri i shëndetësisë Imer Selmani, i cili ka trajtuar shumë tema nga dikasteri që ai udhëheq.
I përballur me shumë pyetje nga auditori i amfiteatrit të USHT-së, ministri Selmani, ndër të tjera, ka prezantuar reformat që janë bërë në fushën e shëndetësisë, problemet e paraqitura në spitalet në vend, përfaqësimin e shqiptarëve në shëndetësi, investimet për infrastrukturë dhe pajisje shëndetësore si dhe përgatitjet dhe rezultatet e deritashme për klinikën universitare të USHT-së në Tetovë. I pyetur që të komentoj akuzat e një pjese të mjekëve se “me reformat në shëndetësi është sakatuar sistemi shëndetësor”, Selmani është përgjigjur se për të sakatuar një sistem duhet i njëjti të ketë qënë i shkëlqyer.
“Ne jemi nisur nga vlerësimi i përgjithshëm se sistemi ynë shëndetësor ka qenë i dëmtuar tërësisht. Duke filluar nga sistemi socialist, e për të vazhduar në atë se kemi një periudhë kohore ku kemi stagnim, si dhe disa ndryshime të mbrapshta të cilat lejuan penetrimin e korrupsionit, nepotizmit, si dhe shumë dukurive tjera të dëmshme. Jemi munduar që të vendosim një rend dhe një disiplinë e cila nuk është asgjë spektakulare por vetëm zbatimi i ligjit”, tha Selmani. Në vazhdim ai ka prezantuar të gjitha masat që janë marrë në procesin e reformave nga ana e ?inistrisë së shëndetësisë dhe Qeverisë.
Ai në vazhdim ka folur edhe për funksionimin e praktikave të reja të aplikuara në mjekësinë primare. Për sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve në dikasterin e shëndetësisë Selmani ka ilustruar fotografinë aktuale me shifra konkrete për të gjitha segmentet. “Aktualisht, situatë të shkëlqyer kemi në administratën e shëndetësisë, në nivel të shtetit, ku kemi përfaqësim të shqiptarëve mbi 30 për qind, ndërsa situata nuk është edhe aq e mirë në spitale ku përfaqësimi është vetëm tetë për qind. Kjo situatë është falë gjendjes që e kemi gjetur nga përbërja e kaluar, kur kemi gjetur spitalin e Tetovës dhe atë të Gostivarit me përfaqësim të shqiptarëve nën 50 për qind. Kemi marrë masa për përmirësimin e kësaj situate dhe përveç punësimeve që janë bërë deri tani së shpejti do të shpallet një konkurs për punësimin e qindra shqiptarëve në klinikat e spitalit shtetëror” ka thënë Selmani. Në këtë drejtim, sipas tij problem mbetet edhe deficiti i kuadrit, sidomos për mjekë dhe stomatologë.
Në “panelin e kaltër” të debatit ka marrë pjesë edhe Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti, i cili ka folur për përgatitjet për fillimin e Fakultetit të shkencave mjekësore në USHT. “Fakulteti i shkencave mjekësore në USHT do të funksionoj me katër departamente dhe atë departamenti i mjekësisë, stomatologjisë, farmacisë dhe infermierisë. Kanë kaluar të gjitha procedurat për akreditim, kemi gjetur kuadrin arsimor dhe vitin e ardhshëm do të startojmë. Jemi përqendruar në kualitet prandaj kemi vendosur që grupet e studentëve që do të pranohen të jenë të vogla dhe atë 40 në mjekësi dhe 20 në stomatologji” tha Rektori prof. dr. Bexheti. Në këtë debat, mendimet e tyre i kanë shprehur edhe drejtori i Inspektoratit për higjienë, dr. Zijadin Sela, drejtori i spitalit të Tetovës, dr. Hasan Luma, prof. dr. Nexhbedin Karemani, shef i programit studimor të infermierisë si dhe ekspertë të tjerë nga fusha e shëndetësisë.
Zyra për informim |
WEB MAIL Sign in apo Regjistrohu


