Universiteti Shtetëror i Tetovës:

Universiteti Shtetëror i Tetovës
rruga e Ilindenit pn, 1200 Tetovë, Republika e Maqedonisë
Tel: +389 44 356 500
Fax: +389 44 334 222
e-mail:international@unite.edu.mk
Debat universitar: Ligji për Fekondimin artificial
Tetovë, 07 shkurt 2008- Ligji për fekondim biologjik, apo i njohur si Ligji për fekondim artificial ka qenë tema e Debatit Universitar. Të enjten në mbrëmje para auditorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe “TVM”-së, në këtë temë kanë diskutuar Ministri i Shëndetësisë Imer Selmani, drejtoresha e Klinikës Universitare të Gjinekologjisë në Shkup, doc. dr. Adela Stefanija, si dhe doc. dr. Flora Sela-Kastrati, ligjëruese në USHT. Të pranishëm në panel kanë qenë edhe përfaqësuesi Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni (BFIM), Shaban Sulejmani, si dhe Shefi i Programit studimor të Infermierisë në USHT, doc. dr. Nexhbedin Karemani, prof. dr. Remzi Izairi, dr. Qazim Mustafai, dr. Hasan Luma, si dhe ekspertë të ndryshëm nga fusha e mjekësisë.
“Në këtë propozim-ligj janë marrë përvojat e shumë shteteve, të cilat e aplikojnë këtë metodë. Jemi përpjekur në maksimum t’i evitojmë të gjitha problemet që janë paraqitur në këto shtete”, tha ministri Selmani. Ai ka potencuar se është e gabuar qasja kur kjo çështje trajtohet si fekondim me qeliza të donatorëve, meqenëse sipas tij, Ligji dhe praktika në mbi 95 % të rasteve i jep mundësi fekondimit me qelizat e dy bashkëshortëve dhe vetëm në rastet kur kjo gjë nuk ka sukses atëherë merren qeliza nga donatorët. Drejtoresha e Klinikës Gjinekologjike në Shkup, doc. dr. Adela Stefanija, ka folur për problemet me të cilat në praktikë mjekët përballen lidhur me çiftet që nuk kanë fëmijë. “Në Klinikën tonë, në vit lajmërohen rreth 1500 çifte që kanë probleme për të lindur fëmijë.
Metoda e fekondimit artificial praktikohet në Maqedoni prej rreth 10 vite më parë, megjithatë tashmë për të do të ketë kornizë ligjore dhe të gjitha çështjet do të rregullohen në pajtim me Ligjin”, tha Stefanija. Në anën tjetër, doc. dr. Flora Sela-Kastrati ka folur për problemet sociologjike që paraqiten në familjet që nuk kanë fëmijë. “Për herë kur një familje nuk ka fëmijë, falë mentalitetit ballkanik, fajtor kujdestar është gruaja. Tashmë shpresoj që këto probleme do të tejkalohen, por megjithatë mendoj se Ligji nuk do të pranohet drejtë në shoqërinë tonë”, tha doc. dr. Flora Sela. Ndërkaq përfaqësuesi i BFIM-së, Shaban Sulejmani, ka trajtuar këtë çështje nga aspekti religjioz. “Islami e pranon që njeriu të bëj gjithçka për të krijuar familje.
Propozim-ligji pjesërisht është i pranueshëm dhe atë sipas rregullave islame lejohet fekondimi artificial, por me qeliza nga dy bashkëshortët që janë në kurorë. Çdo donacion jashtë martesës është i papranueshëm dhe sanksionohet nga Sheriati”, ka thënë Sulejmani. Me anë të këtij propozim-ligji parashihet që rreth 2 000 çifteve t’u jepet mundësia për fekondim artificial ndërsa Ministri i Shëndetësisë Imer Selmani poashtu potencoi se shpenzimet për këtë shërbim shëndetësor do të mbulohen nga fondi shëndetësor i Republikës së Maqedonisë. Çdo pacienti do ti mundësohen tre tentime pa pagesë. |
WEB MAIL Sign in apo Regjistrohu


