Debati universitar “USHT me imazh të ri dhe oferta në vitin akademik 2008/2009”
Tetovë, 8 Maj 2008 – Para auditorit të MTV, programi në gjuhën shqipe dhe para audiencës prezent në amfiteatrin e USHT folën dekanët e Universitetit Shtetëror të Tetovës. Të ftuar të debatit ishin: Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Hamit Aliu, Dekani i fakultetit të shkencave matematike-natyrore Prof. Havzi Memeti, Dekan i fakultetit filozofik Prof. Myqereme Rusi dhe Prof. Musli Halimi, Dekan i fakultetit juridik pranë USHT. Të pranishëm në karriget blu ishin edhe profesorë tjerë përgjegjës të programeve të ndryshme studimore.

Gëzim Jashari, Ognenka Gacova, Yllka Baftijari dhe Besarta Murtezani studentë dhe asistente në programin studimor të muzikës performuan me pika të ndryshme muzikore duke prezantuar në këtë mënyrë të arriturat e kësaj katedre.
Diskutimi ne debat u përqendrua në imazhin e USHT dhe oferta për vitin akademik 2008/09.
Dekanët e fakulteteve të lartpërmendura folën për kushtet ekzistuese si dhe risitë për vitin e ardhshëm akademik. Dekani i fakultetit ekonomik potencoi se edhe pse për momentin kanë kushte dhe ofertë të lakmueshme për studentët e ardhshme, më 1 Tetor pritet që të hapet edhe objekti i ri dedikuar fakultetit ekonomik dhe juridik i cili gjendet në afërsi me rektoratin e USHT.

“Hapja e këtij objekti poashtu do të lehtëson edhe funksionimin e fakultetit të shkencave matematike-natyrore i cili vepron në të në njëjtin objekt me fakultetet e përmendura” – tha Memeti.
Dekania e fakultetit filozofik Mzqereme Rusi mes tjerash potencoi se këtë vit mësimi teorik është kombinuar edhe me mësim praktik dhe studentët kanë mundësi që atë që mësojnë në fakultet ta praktikojnë në institucione të ndryshme me të cilat USHT ka lidhur marrëveshje.
Në këtë drejtim u shpreh edhe dekani i fakultetit juridik prof. Musli Halimi i cili potencoi se në këtë fakultet punohet me program të unifikuar me fakultetin juridik të Shkupit dhe Manastirit respektivisht studentët përgatiten në një program i cili është kompatibil me legjislaturën e shtetit.
Qufli Osmani, koordinator për implementim të ECTS sistemit foli për drejtimet e reja në këtë vit akademik, konkretisht për fakultetin e shkencave mjekësore. Gjatë vitit të kaluar USHT ka kaluar në një proces të revitalizimit dhe në këtë proces është përfshirë edhe fakulteti i shkencave mjekësore. Në këtë drejtim fakulteti i shkencave mjekësore së pari duhej të siguron kushtet fizike, d.m.th hapësirat ku do të vepron ky fakultet.

Në kuadër të këtij fakulteti ekzistojnë programet studimore farmaci dhe infermieri ndërsa me plotësimin e këtyre kushteve USHT mori edhe akreditimin e programeve të reja studimore në kuadër të FSHM. Këto drejtime janë mjekësia e përgjithshme dhe stomatologjia të cilat do të startojnë këtë vit akademik.
Përgjegjësi i katedrës së artit muzikor tha se ky program është më specifik se të tjerët duke potencuar faktin se me një student krijohet një program studimor. Në programin muzikorë të muzikës ka 22 drejtime nga të cilët 6 janë teorike dhe 16 instrumentale.
Në vazhdim të debatit dekanët dhe profesorët folën për studimet e ciklit të dytë gjegjësisht master të cilët poashtu do të startojnë në vitin akademik 2008/09.
Studime master do të ketë për të gjitha drejtimet që veprojnë në Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Këto studime do të organizohen sipas sistemit 3+2 dhe 4+1 i cili nënkupton se studentët të cilët kanë kryer studime trevjeçare do të studiojnë dy vite në studimet master ndërsa për studentët të cilën kanë studiuar sipas sistemit katërvjeçar, studimet master do ti vijojnë një vit.
Me këtë USHT edhe një herë dëshmon përkushtimin e udhëheqësisë së këtij institucioni drejt avancimit arsimor, ngritjes së kualitetit në mësimdhënie dhe ofrimit të mundësive më të mira për studentët aktual dhe të ardhshëm.
Në debat poashtu u diskutuan edhe kushtet në të cilat punohet, mundësitë e studentëve dhe profesorëve për të studiuar jashtë vendit, sistemi i transferit të kredive, bashkëpunimit të fakulteteve me fakultete dhe institucione nga Universitete të ndryshme në regjion dhe më gjërë.