U formua Rrjeti Ndërkombëtar i Mjekësisë Akademike – INAMED
Nga data 06 shkurt deri më 08 shkurt 2009, me iniciativë të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe me përkrahjen e Universitetit Medicinal të Gracit, u organizua takim ndërkombëtar i universiteteve dhe fakulteteve mjekësore me qëllim krijimin e një rrjeti akademik mjekësor.

Me rastin e hapjes së takimit – konferencës, Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti u shpreh: “Në këtë manifestim marrin pjesë rektorë, dekanë dhe profesorë nga më shumë universitete nga regjioni dhe Evropës, të cilët kanë shprehur gatishmëri për realizimin e këtij qëllimi shumë human, i cili do të jetë edhe një shembull i mirë për zhvillimin e përgjithshëm të shkencave të mjekësisë, për integrimet e përgjithshme në fushën e arsimit dhe intensifikimin e procesit të globalizmit. Rezultatet e arritura në sferën e arsimit sipëror përmes Procesit të Bolonjës dhe Sistemit Evropian të Transferimit të Kredive, paraqesin nevojë edhe për organizime të kësaj natyre me interes të përbashkët edhe nga fusha më të specializuara arsimore dhe shkencore, siç janë studimet nga fusha e mjekësisë, qëllim të cilin zotohemi ta realizojmë së bashku me krijimin e këtij RRJETI AKADEMIK në fushën e studimeve të mjekësisë dhe praktikën e mbrojtjes shëndetësore”. Fjalë përshëndetëse mbanë edhe Rektori i Universitetit të Thrakisë, prof. dr. Enver Duran dhe prorektori i Universitetit Medicinal të Gracit, prof. dr. Gilbert Reibnegger të cilët përshëndetën iniciativën dhe përgëzuan USHT-në për organizimin e shpejtë dhe efikas.

Në takim u diskutuan format e bashkëpunimit si organizimi i shkollave verore të përbashkëta për studentë, shkëmbimi i vazhdueshëm i stafit akademik, mundësitë e specializimeve për studentët e diplomuar, krijimi i programeve dhe titujve të përbashkët, zhvillimi dhe harmonizimi i kurrikulave, projekte shkencore dhe kërkimore si dhe mobiliteti i studentëve. Gjithashtu u diskutuan edhe format e financimit dhe u konkludua se universitetet pos vetëfinancimit, bashkërisht do të kërkojnë fonde financimi nga institucione të ndryshme si TEMPUS, CEEPUS, Erasmus Mundus, WUS Austria dhe fondacione tjera.

Takimi rezultoi i suksesshëm dhe si përfundim, universitetet pjesëmarrëse ranë dakord që të formohet Rrjeti Ndërkombëtar i Mjekësisë Akademike (International Network of Academic Medicine) me akronimin INAMED. Protokoli për krijimin e këtij rrjeti u nënshkrua nga rektorët respektiv të Universitetit Shtetëtor të Tetovës (prof. dr. Sadi Bexheti), Universitetit Medicinal të Gracit (prof. dr. Gilbert Reibnegger – prorektor), Universiteti i Thrakisë (prof. dr. Enver Duran) dhe përfaqësuesit e institucioneve në vijim: Universiteti i Osijekut, Kroaci, Universiteti “Sulejman Demirel”-Turqi, Universiteti i Stambollit-Turqi, Shkolla për Shëndet Publik EHESP – Francë, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës. Palët nënshkruese ranë dakord për mënyrën e funksionimit të rrjetit, duke përcaktuar çdo vit udhëheqës të rrjetit një universitet sipas sistemit të rotacionit. Vitin 2009, me rrjetin do të udhëheq Universiteti Shtetëror i Tetovës, në vitin 2010 udhëheqësinë e merr Universiteti i Trakisë, në 2011 Universiteti Medicinal i Gracit e kështu me radhë. Palët nënshkrues ranë dakord që Rrjeti të jetë plotësisht i hapur për institucionet tjera dhe qysh në takimin e ardhshëm të promovohen anëtarët e rinj të rrjetit.
|