Seminari i tretë ndëruniversitar në temë “Dhuna kundër gruas në Maqedoni dhe Kosovë”
Vjenë, 6 dhe 7 shkurt 2009 - Universiteti i Vjenës në bashkëpunim me Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin e Prishtinës me 6 dhe 7 shkurt 2009 organizuan seminarin e tretë ndëruniversitar, me titull “Dhuna kundër gruas në Maqedoni dhe Kosovë”, projekt ky financiarisht i mbështetur nga Zyra austriake për shkencë dhe hulumtime (Austrian Science and Research Office – ASO). Pjesëmarrës në seminar janë njohës të kësaj çështjeje, psikologë, jurist, filozofë dhe hulumtues të çështjes së barazisë gjinore. Nga Universiteti Shtetëror i Tetovës marrin pjesë, Doc. dr. Myqereme Rusi, dekane e Fakultetit Filozofik, Dr. sc. Ali Musliu, profesor në Fakultetin Juridik të USHT-së, dhe Doc.dr. Florije Kastrati-Selami, profesoreshë në Fakultetin Filozofik.

Drejtori i Departamentit të Shkencave Politike të Universitetit të Vjenës, prof. Dr. Dieter Segert, shprehu rolin e bashkëpunimit midis universiteteve dhe mundësive të intensifikimit të tyre nëpërmjet projekteve të ndryshme. Në seminar gjithashtu marrin pjesë edhe profesorë dhe ekspertë nga Vjena dhe Prishtina, si prof. dr. Birgit Sauer, zëvendësdrejtore në Institutin e shkencave politike në Universitetin e Vjenës, Dr. Brigitte Holzner nga Agjencioni austriak për zhvillim (Austrian Development Agency), prof. dr. Kadri Metaj, udhëheqës i departamentit të filozofisë në Universitetin e Prishtinës, Mr. Vjollca Krasniqi nga Universiteti i Prishtinës, si dhe ekspertë tjerë.

Seminari ka për synim të thyejë disa tabu mbi dhunën ndaj grave, që fatkeqësisht është një pjesë e hidhur e përditshmërisë sonë. Edhe më tronditëse është heshtja me të cilën është e mbështetur ajo. Pikërisht, pjesëmarrës të nivelit akademik dhe shkencor janë mbledhur që përmes diskutimeve të thyejnë këto tabu rreth kësaj anomalie shoqërore.

Seminari i mbajtur në Vjenë paraqet fazën e finale të projektit. Seminare të ngjashme paraprakisht janë mbajtur në Tetovë dhe Prishtinë. Punimet e përgatitura dhe prezantuara në seminar nga ana e pjesëmarrësve do të botohen në një libër të veçantë.
|