Unionet studentore kërkojnë ndërtimin e Bibliotekës së Tetovës
Tetovë, 10 mars - Përfaqësuesit e Unionit të Studentëve të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Unionit të Studentëve të UEJL-it, kanë arritur të grumbullojnë mbi 10 mijë nënshkrime për të sensibiliuar institucionet komunale dhe ato shtetërore që të ndërtohet Biblioteka e Tetovës. Me këtë rast dy unionet në fjalë kanë mbajtur konferencë të përbashkët për mediumet, prej ku kanë paralajmëruar se në rast të zhagitjes së mëtejshme të ndërtimit të Bibliotekës ata do të organizojnë edhe protesta. Fisnik Shabani sekretar i Unionit të Studentëve të USHT-së dhe Arjan Thaçi, përfaqësues i unionit të UEJL-së, arsyetuan kërkesën e tyre drejtuar institucioneve me nevojën që kanë studentët e dy universiteteve në fjalë.

“Çështja e hapjes së bibliotekës është një çështje që na preokupon neve si unione studentore. Duke pasur parasysh faktin se ky është një proces që prej kohësh ka ngelur, ne si unione reagojmë në formate respektive që kemi paraparë, duke mbledhur nënshkrime përmes një peticioni të organizuar nga ana e jonë në mesin e studentëve në dy universitetet tona”, tha Fisnik Shabani.
Në anën tjetër Arjan Thaçi, nga Unioni i Studentëve të UEJL-së, tha se në emër të mijërave nënshkrimeve kërkohet që përfundimisht të iniciohet një projekt për ndërtimin e një Biblioteke moderne dhe bashkëkohore në qytetin e Tetovës.
“Për rrumbullakimin e infrastrukturës arsimore në këtë qytet me dy universitete dhe për realizimin e idesë organike të çdo civilizimi –pasurimin dhe ngritjen shpirtërore të studentëve dhe të qytetarëve që jetojnë dhe veprojnë në qytetin e Tetovës, ne kërkojmë ndërtimin e Bibliotekës”, tha Thaçi.
Opinionit i janë drejtuar edhe dy udhëheqësit e unioneve.
‘Të nisur nga nevoja shpirtërore e çdo populli por edhe nga mangësia infrastrukturore për përmbushjen e saj shprehim dëshirën kolektive të gjithë studentëve dhe nxënësve, për mundësimin e ekzistimit të bibliotekës”, tha Gadaf Uzeiri, kryetar i Unionit të Studentëve të USHT-së.
Ndërkaq kreu i studentëve të UEJL-it, Agon Ferati, tha se nuk ka asgjë më të bukur për çdo popull se sa rinia e tij të kërkojë të arsimohet, duke u bërë apel të gjitha institucionet që të marrin parasysh këtë peticion.
Kërkesa u është drejtuar Komunës së Tetovës, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si dhe Ministrisë së Kulturës. Të dy kryetarët përsëritën qëndrimin se në këtë rast duhet të lihen anash inatet politike dhe të punohet në ndërtimin e bibliotekës.
Ndryshe, sipas përfaqësuesve të këtyre dy unioneve, duhet që të tejkalohen të gjitha mosmarrëveshjet mes pushtetit lokal në Tetovë dhe Ministrisë së Kulturës, me qëllim që të ndërtohet Biblioteka e Tetovës. Sipas tyre është realizuar një takim me përfaqësuesit e ministrisë së Kulturës dhe është marrë premtim për t`u ndërtuar objekti për të cilin kjo ministri ka ndarë mbi 900 mijë euro, ndërsa presin përgjigje që së shpejti të takohen edhe kryetarin e komunës së Tetovës, Hazbi Lika.
Ndërtimi i objektit të bibliotekës është iniciuar nga Qeveria, ndërkaq kundërthëniet kanë arritur kulminacion pas zvarritjes së këtij projekti nga ana e Komunës së Tetovës.