Studentët e USHT-së zgjidhen më të mirët në manifestimin e FRI-së
Shkup, 11 janar - Studentët e Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT), kanë zënë vendet e para si studentë më të mirë, në manifestimin e organizuar me rastin e festës së vitit të ri islam, Hixhrit 1429, të organizuar nga Forumi Rinor Islam (FRI).
Me këtë rast i ftuar ka qenë edhe Rektori i USHT-së, i cili ka shpërndarë dhuratat dhe mirënjohjet për studentët më të mirë. Si studente e vitit në konkurrencë të të gjitha universiteteve në vend është zgjedhur studentja e Fakultetit Juridik të USHT-së, Gjylsime Beqiri me notë mesatare 10. Ndërkaq ndër të parët, ka qenë të radhitur edhe Shpëtim Rexhepi, student i Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore, Kanita Asani nga Fakulteti Ekonomik, Nderim Qaili nga Fakulteti Filologjik, Drita Mehmeti - Fakulteti Filozofik, Luze Lena Fakulteti i Arteve, Munibe Sali – Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe Ushqimit, Sihana Ahmeti nga Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë, Agim Ziberi – Fakulteti i Shkencave të Aplikuara dhe Arbresha Bekteshi – Kulturë Fizike. Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti ka përshëndetur këtë aktivitet duke inkurajuar organizatorët që të vazhdojnë edhe në të ardhmen të japin kontributin e tyre për zhvillimin e shkencës dhe arsimit. “Ky manifestim është me një rëndësi të madhe dhe do të ketë ndikim në zhvillimin e arsimit. Shpresoj se kjo traditë do të vazhdoj, edhe në të ardhmen” ka thënë Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti. Në vazhdim ai ka folur për rëndësinë që kanë evenimentet e tilla për nxitjen e studentëve që të arrijnë rezultate më të mira. Manifestimi i Forumi Rinor Islam, me rastin e vitit të ri në kalendarin islam Hixhri 1429, është realizuar për herë të gjashtë, ndërsa ka qenë i pasur me një program artistik dhe kulturor.
Në këtë manifestim përveç këngëve fetare, janë prezantuar edhe pjesë të zgjedhura filmike nga dokumentari “Zgjimi” dhe me një pjesë të titulluar “Gjashtë vite me më të mirët” ku u përshkruan manifestimet e deritanishme të FRI-së me rastin e vitit të ri në kalendarin islam. Në këtë manifestim ka marrë pjesë edhe artisti i mirënjohur shqiptar Mirush Kabashi i cili ka recituar disa poezi. Gjithashtu dhurata janë ndarë edhe për nxënësit më të dalluar nga shkollat e mesme më të mëdha nga Shkupi, Tetova, Kumanova, Gostivari, Kërçova, Struga, Dibra, Prilepi dhe Manastiri. Për kontributin konstruktiv në sferën e arsimit, në forcimin e demokracisë dhe relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndër fetare në Republikën e Maqedonisë u dekorua Ambasada e Mbretërisë së Holandës. Manifestimi u mbajt në Sallën universale të Shkupit më 11 Janar 2008. |
WEB MAIL Sign in apo Regjistrohu

