Vazhdon bashkëpunimi me universitet turke
Një delegacion i Universitetit Shtetëror të Tetovës ka realizuar një vizitë katër ditore në Republikën e Turqisë. Delegacioni i udhëhequr nga prorektori për marrëdhënie me jashtë, prof. dr. Hamit Mehmeti, në përbërje të ligjëruesve, asistentëve dhe studentëve të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, ka vizituar disa universitete turke, koncerne dhe fabrika prodhuese dhe përpunuese ushqimore. Në këtë vizitë fillimisht delegacioni i USHT-së ka qëndruar në Universitetin e Trakisë në qytetin Edirne, ku është vizituar Fakulteti i Inxhinierisë, në kuadër të së cilit ndër të tjera bën pjesë edhe drejtimi i teknologjisë ushqimore. Prorektori i USHT-së, prof. dr. Hamit Mehmeti, fillimisht ka përshëndetur nikoqirët, duke potencuar se USHT-ja është e interesuar që praktikat dhe përvojat e huaja t’i aplikoj në programet e saja studimore.

“Për ne ka një rëndësi të madhe bashkëpunimi me universitetet tjera dhe për këtë arsye jemi të hapur dhe tentojmë zhvillimin e krijimit të rrjetave të bashkëpunimit nga më shumë shtete. Një bashkëpunim i gjerë ndëruniversitar do të jepte fryte në procesin studimor dhe në përgatitjen praktike të kuadrove të reja”, ka thënë profesor Mehmeti.

Në anën tjetër, dekani i Fakultetit të Teknologjisë pranë Universitetit të Trakisë – Edirne, prof. dr. Ahmet Xhan, është shprehur mjaft i kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me USHT-në, duke potencuar se ky bashkëpunim duhet të avancohet edhe më shumë.
Gjithashtu, ligjëruesit dhe studentët e USHT-së kanë marrë pjesë edhe në seminarin shkencor të organizuar në Universitetin e Trakisë, ku janë prezantuar arritjet e fundit të shkencës në sferën e teknologjisë në Turqi.
“Ne jemi të interesuar për një bashkëpunim më të lartë me USHT-në. Interes i përbashkët është që ky bashkëpunim të mos përfundoj asnjëherë dhe të këmbejmë gjithçka që është në interes të zhvillimit të përbashkët” ka thënë prof. dr. Xhan.

Në qytetin e Edirnesë, delegacioni i USHT-së ka vizituar muzeun e Xhamisë së Selim Pashës dhe muzeun e Xhamisë së Sulltan Pajazitit, një ndër institucionet e para të mjekësisë në Evropë, themeluar në vitin 1480.
Në ditët në vijim delegacioni i USHT-së ka vizituar fabrikën e Bahcevan, një përpunuesit mjaft i madh i përpunimit të qumështit në Turqi. Gjithashtu janë vizituar fabrika e pastave Bolca dhe fabrika e përpunimit të mishit në qytetin Tekirdag.
Gjatë qëndrimit në qytetin e Tekirdagut, delegacioni i USHT-së, ka vizituar edhe universitetin e këtij qyteti, ku është pritur nga rektori dhe udhëheqës të tjerë të tij. |