Lajme:

Mbledhje komemorative kushtuar jetës dhe veprës së prof. dr. Ali Vishkos


Të shtunën, më 13 qershor 2009, në Amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës u mbajt mbledhje komemorative kushtuar jetës dhe veprës së profesorit Ali Vishko. Të pranishëm ishin miqtë e shumtë të prof. Vishkos, familjarë, profesorë e intelektualë nga më shumë qytete shqiptare. Me këtë rast, prorektori prof. dr. Fejzulla Shabani u shpreh: “Profesor Ali Vishko me punën e tij të palodhshme kontribuoi në shumë sfera, ndërsa një kontribut të madh dha edhe në themelimin e katedrës së historisë në Universitetin e Tetovës shumë vite më parë”. Referatin për jetën dhe veprën e Ali Vishkos e lexoi prof. dr. Nebi Dervishi i cili theksoi se si popull, mburremi që patëm një koleg, arsimtar dhe punëtor të palodshëm shkencor.

 


Ali Vishko lindi në Strugë në vitin 1930, ndërsa punoi dhe veproi në shumë qytete të Maqedonisë perëndimore në edukimin e gjeneratave të reja dhe mbetet një pishtar i palodhshëm i arsimit shqip në Maqedoni. Ndërroi jetë në moshën 79 vjeçare në Tetovë.
Referati i plotë i prof. dr. Nebi Dervishit kushtuar jetës dhe veprës së prof. dr. Ali Vishkos
Dr. Nebi Dervishi
Ndërroi jetë e shkoi në botën e amshuar  Prof. Dr. Ali Vishko
(15.II.1930-12.06.2009)
Edhe pse kohëve të fundit Prof Dr. Ali Vishko nuk ndihej mirë nga shëndeti, ne sikur nuk dëshironim të pajtoheshim me atë që ai e kishte parandjer si profet vdekjen. Megjithatë dje, 12.VI.2009 rreth orës 7 e 15 minuta në ambientin e Teqes Arabati këtu në Tetovë, pushoi së rrahuri zemra e tij duke lënë të hapur pavdeksinë e veprës së tij të madhe.
Profesor Ali është një emër i veçantë në plejadën e figurave të merituara intelektuale të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore këtu në Maqedoni.
Njëri ndër mësuesit pishtar që veprimtarinë edukativo-arsimore e filloi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore është edhe prof. Dr. Ali Vishko, lindur më 15.02.1930 në qytetin “buzë gjolit” - , në Strugë, në një familje me tradita patriotike e arsimdashëse qytetare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në gjuhën serbe, ku e mbaroi edhe shkollën e mesme. Studimet universitare e pas universitare, në Shkup e Prishtinë. Pas vitit 1945 prof Aliu ishte në mesin e gjeneratës së parë që përcolli kurset pedagogjike të mësuesistë që organizoheshin nga Ministria e Arsimit në Shkup. Më pas do të diplomojë në Shkollën Nomrale “Liria” në Shkup.
Profesionin e shenjtë të mësuesit për herë të parë e filloi në fshatin Lopatë në vitin  shkollor  1946-47, ku qëndroi vetëm një gjysvjetor e pastaj vazhdoi në Mateq të Kumanovës. Në vitin shkollor 1947-48 e nisi në Lopatë e më pas u transferua në Livadhi të Strugës, ku ndeji deri në dhjetor të 1949. Në fshatrat e Strugës (Tateshë, Veleshtë punoi deri në 1958 ku u transferua për dy vjet në Studeniçanë të Shkupit. Gjatë viteve 1960-1975 profesor Aliu me një përkushtim të madhë do të edukojë e arsimoj gjeneratat e reja në Gjimnazin e Tetovës.

 


Nga viti 1975 prof. Aliun e gjemë mësimdhënës në Shkollën e Lartë në Shkup ku punoi deri në mbylljen e saj, ndërsa në vitet 1994-1998 do të ligjëroi në katedrën e Historisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ishte njëri ndër nismëtarët dhe themeluesit e saj.
Prof Ali Vishko ishte njëri nga historianët e shquar shqiptar të periudhës së Rilindjes, në shekujt XIX- XX, duke përdorur gjerësisht dokumentet osmane për çka hodhi dritë në shumë probleme të kësaj fushe me interes për historinë tonë të asaj periudhe.
Prirjen prej historiani prof Dr. Ali Vishko e provoi që në vitet 70 të shekullit XX, në vitet kur punoi në Gjimnazin e Tetovës e sidomos gjatë kohës që punoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike, duke u shquar nga kolegët e tij për interesimin dhe përkushtimin që iu qas studimit të historisë të popullit tonë.
Me një angazhim përkushtues hulumtues - kërkimor, fal dhuntisë që njihte mirë gjuhën osmanishte, si dhe aftësive që dispononte për të hyrë në zbërthimin dhe analizën e problemeve historike të fenomeneve, ngjarjeve e personaliteteve e për të ardhur kështu deri në rezultatet e dëshiruara. Kjo do t’i mundësoi këtij studijuesi për ta angazhuar ligjërues në shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup në vitin 1975, detyrë këtë që e kreu me përkushtim, për çka flasin rezultatet e arritura. Edhe pas mbylljes së Shkollës së Lartë Pedagogjike, profesor Aliu vazhdoi me përkushtim veprimtarinë e tij të nisur kërkimore-shkencore, duke e sfiduar të keqen me arritje edhe më të mira e të lakmueshme në historiografi. Prof. Aliu ishte në mesin e nismëtarëve për formimin e Shoqatës së Historianëve shqiptarë në Maqedoni në vitin 1991, si dhe ndër profesorët e parë në themelimin e Universitetit të Tetovës në 1994, ku ligjëroi Historinë e kohës së vjetër. Sukseset e arritura prej tij në fushën e mësimdhënies ishin për t’u lakmuar, sepse këtë detyrë e kryente sikur në shkencë me një përkushtim të veçantë, për çka flasin me admirim studentët e tij. Si rezultat i punës së palodhshme kërkimore-shkencore, prof. Dr. Ali Vishko ia doli të botoi disa monografi si: “Manastiri me rrethinë në gjysmën e dytë të shek. XIX sipas burimeve osmane dhe diplomatike” (që e ka pasur edhe tërë disertacioni në Shkup në 1997), “Monografia për Arabati Baba Teqen”, “Kongreset e Alfabetit dhe të shkollës shqipe”, Shkup 1992 etj. Këto  vepra janë me interes të veçantë për historinë shqiptare sepse hedhin dritë në shumë aspekte dhe shtynë përpara historiografinë tonë.
Zëri kumbues i krijimtarisë së tij kurdoherë është mirëpritur nga opinioni ynë e më gjerë, jo vetë nga qarqet intelektuale e të specializuara, por edhe nga opinioni i shumtë lexues me të cilin profesori komunikonte me besnikëri deri në ditët e fundit të jetës. Mund të thuhet pa hezitim professor Vishko mbetet një nga kampionët e mendimit intelektual që bashkëjetoi me rrjedhat e kohës dhe është ekzemplarë unikat i korespodencës së pandërprerë më njerëzit e tij të shumtë e besnik.
Prandaj, sot kur po ndahemi nga ky studiues, historian, pishtar i arsimit, edukator e profesor, të gjithë në jemi më të varfër për një pendë të mprehtë, për një mendimtar të shquar e euridit të devotshëm.
Megjithatë, profesor Aliu (Vishko) na la një trashëgimi të begatë shkencor të të kaluarës sonë, e cila është padyshim një bazë e fortë argumentuese për studiuesit e tashëm dhe ato që do të vinë. Kjo trashëgimi përmblidhet me 6-7 monografi (3 janë në dorëshkrime), në dhjetëra e dhjetëra studime shkencore të publikuara në revistat e specializuara e në shtypin e ditës, dhe po ashtu një numër të madh vështrimesh, recensionesh, kritikash, feltonesh dhe artikujsh, për problemet gati në të gjitha periudhat historike që ka kaluar populli shqiptar.
 Profesor Vishko hyri në botën e shkencës historike duke pasur një kulturë historike solide, traditë patriotike familjare, si dhe një bagazh të gjerë njohurish sa i përket përcjelljes së rezultateve që kishte arritur historiografia këndej e andej kufirit shqiptaro-shqiptar në lëvrimin dhe ndriçimin e të kaluarës së bujshme të historisë së popullit shqiptar. E tërë kjo ishte rezultat i kujdesit të jashtëzakonshëm që i kushtonte përvetësimit të gjuhëve, në radhë të parë të shqipes, turqishtes, serbokroatishtes, osmanishtes, italishtes, etj.
Veprimtaria e tij në fushën e historiografisë është shembullore si për gjerësinë e problemeve ashtu edhe për frymën ndërtuese. Viteve të fundit, në moshën kur njerëzit që kanë përshkruar aq rrugë të gjatë e të vështirë nëpër shtigjet e jetë dhe shkencës, ndien dëshirën e natyrshme të prehen pakës, sidomos këto dhjetë vjetët e fundit. Por, profesor Ali Vishko edhe këtë radhë nuk pushoi së vepruari ku dha ndihmesën e tij të vyer. Tërë këto vite profesor Vishko ishte një përmendore e gjallë e fisnikërisë së shpirtit dhe bujarisë. Rasti  i vdekjes është një rast i fundit për t’i shprehur nderimin dhe mirënjohjen tonë, për veprimtarinë e tij të palodhur e të dendur dhe për rezultatin e saj këndellës në botën intelektuale shqiptare. Ky moment pikëllimi është një rast për të shpalosur vlerat e vërteta të pavdekshme të njeriut, shkencëtarit, pishtarit të arsimit, e historianit, për të ndjekur shembullin e tij, për të gjetur frymëzimin e krijimit te ato gurra pasura nëpër arkiva ku ruhen vlera të paçmuara që frymëzuan dhe ushqyen veprën madhështore të prof. Vishkos.
Ai ishte e do të mbetet simbol i punës, i sakrificës, i vetëmohimit, i ndërgjegjes së pastër, i moralit, etikës së shëndoshë, si dhe i pishtarit veteranit të arsimit, atdhetarit të papërlyer etj.

 

I dashur dhe i nderuar profesor Vishko !
Të qoftë dheu i lehtë këtu rrëzë Sharrit plak.
Lavdi e përjetshme veprës Tuaj!

 

13 qershor 2009, Tetovë

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000