Ligjerata “Komunikimi dhe integrimi brendashqiptar në rajon” me Erion Veliaj dhe Igli Totozani
E mërkurë (14 maj 2008) – Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, me iniciativë të drejtimit të gazetarisë, udhëhequr nga Ylber Lili, u organizua ligjëratë me temë “Komunikimi dhe integrimi brendashqiptar në rajon” me të ftuar Erion Veliaj, lider i lëvizjes politike G99 në Shqipëri (ish lideri i lëvizjes MJAFT) dhe Igli Totozani, zëvendës dekan në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin Kristal – Tiranë dhe koordinator i projekteve Soros.

Fillimisht, ata u pritën nga Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti i cili u shpreh mirënjohës për një iniciativë të tillë në drejtim të sensibilizimit dhe intensifikimit të komunikimit ndërshqiptar përmes ligjëratave dhe debateve të tilla. Rektori në pika të shkurtra informoi mysafirët nga Tirana mbi pozicionimin e Universitetit dhe mbi mundësitë, kapacitetet dhe risitë që sjell sivjet Universiteti Shtetëror i Tetovës.

Më pastaj, të ftuarit mbanë ligjëratën në amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së. Ligjeratën e vijuan profesorë dhe studentë nga profile të ndryshme të fushave socio-politike dhe të komunikimit
Sipas z. Veliaj, shqiptarët definitivisht gjenden në një moment historik, sidomos pas pavarësimit të Kosovës dhe marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO për Shqipërinë. Megjithatë, sipas tij, është momenti jo vetëm për të festuar, por për të punuar edhe më shumë, sidomos në drejtim të përmirësimit të imazhit të shqiptarëve, edhe atë përmes rifreskimit të elitave politike, mediumeve. Gjithnjë sipas tij, kjo arrihet vetëm përmes të angazhimit të të rinjve në jetën publike. “Nderi më i madh ndaj atdheut është të jemi qytetarë të mirë” përmblodhi me një fjalë z. Veliaj për kapacitetet e rinisë, mosha mesatare e të cilëve në Ballkan është 27 vjeç.

Nga ana tjetër z. Totozani përpos tjerash shtoi se për Ballkanin, përpos integrimeve evropiane, ndoshta edhe më e rëndësishme është integrimi rajonal, e me theks të veçantë integrimi i vlerave brenda shqiptarëve, si popull konstruktiv në rajon. “Në përgjithësi në Ballkan fryjnë era të reja. Kjo paraqet një mundësi për të ardhmen e popujve të Ballkanit dhe shqiptarëve që duhet të gjejnë ura të komunikimit. "Bashkimi i shqiptarëve duhet të jetë bashkim vlerash ” u shpreh z. Totozani.
Gjatë ligjëratës u hap edhe debat lidhur me çështjet e komunikimit të shqiptarëve në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë e gjetiu.