Lajme:

 

USHT mori pjesë në takimin ndërkombëtar të universiteteve në Isparta të Turqisë

 

Nën organizimin e Universitetit të Thrakisë dhe Universitetit Sulejman Demirel dhe me sponzorim nga Asociacioni Ndërkombëtar i Universiteteve (IAU) dhe Agjencioni ndërkombëtar turk i bashkëpunimit dhe  zhvillimit (TIKA), në Isparta të Turqisë, më 10, 11 dhe 12 qershor 2009 u organizua takim ndërkombëtar me temë “Trendet e arsimit të lartë në Ballkan” në kuadër të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike. Në këtë takim morën pjesë rektorë të mbi 50 universitete nga Turqia, Italia, Austria, Maqedonia, Shqipëria, Kosova,Bullgaria, Serbia, Bosna e Hercegovina, Mali i Zi etj.

 


Delegacioni i Universitetit Shtetëror të Tetovës, i udhëhequr nga Rektori, prof. dr. Agim Vela, prorektori prof. dr. Hamit Memeti dhe prof. dr. Galip Veliu, bashkë me universitete tjera anëtare të Rrjetit (Asociacionit) të Universiteteve Ballkanike morën pjesë në Konferencat shkencore profesionale si “Multikulturalizmi në arsim”, “Mobiliteti i studentëve si çelës suksesi” etj.

 


Në konferencat e rektorëve të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike morën pjesë përfaqësues të lartë të Asociacionit Ndërkombëtar të Universiteteve, të Universitetit të Bolonjës, prefekti i qytetit Isparta, përfaqësues të Qeverisë turke, gjeneralë të ushtrisë etj.
Delegacioni i USHT-së, realizoi takime të ndara me më shumë universitete ku diskutuan mundësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes universiteteve, në fushën e shkëmbimit të stafit akademik e mobilitetit të studentëve dhe organizimin e studimeve të përbashkëta deridiplomike dhe master.

 


Paraprakisht, delegacioni i USHT-së qëndroi në Universitetin e Thrakisë ku realizoi takim me Rektorin prof. dr. Enver Duran, si dhe me dekanët e Fakultetit të Mjekësisë, atij të Shkencave Teknike dhe Shkencave të Edukimit, ku vizituan më shumë objekte, klinika dhe laboratorë. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Thrakisë, prod. dr. Murat Dikmengil shprehu gatishmërinë që në klinikat e tyre, në çdo kohë të mund të specializojnë kuadro të USHT-së. Mundësi për master dhe specializime të kuadrit të USHT-së e ofruan edhe dekani i Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës, prof. dr. Ahmet Can si dhe Dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. dr. Hilmi Ibar.

 


Rektori i USHT-së vlerësoi lartë qëndrimet e Rektorit të Universitetit të Thrakisë, prof. dr. Enver Duran dhe dekanëve përkatës, për të vazhduar bashkëpunimin, sidomos në fushat e mjekësisë, por edhe në fushat teknike dhe ato pedagogjike, të edukimit. E njëjta vlen edhe për universitetet tjera të Turqisë, pjesëmarrëse në konferencë, të cilat shprehën gatishmërinë për të filluar bashkëpunimin ndëruniversitar. “Afërsia gjeografike, por edhe kulturore e historike mes universiteteve nga i tërë regjioni i Ballkanit, e sidomos të universiteteve turke, është një mundësi e jashtëzakonshme për të filluar apo për të intensifikuar bashkëpunimin, qoftë në shkëmbim përvojash, shkëmbimi të stafit akademik e të studentëve, literaturës, e sidomos në fushat e specializimit të kuadrove. Në Asociacionin (Rrjetin) e Universiteteve Ballkanike, anëtare janë universitete me traditë shumëvjeçare, të organizuara mirë dhe me shumë potencial për bashkëpunim. USHT fuqishëm do të përdorë këtë link për të përfituar projekte e kërkime të përbashkëta, organizime të përbashkëta, shkëmbim stafi akademik dhe mobilitet studentësh, specializim të kuadrit tonë, etj.” – u shpreh Rektori i USHT-së, prof. dr. Agim Vela.
Delegacioni i USHT-së gjithashtu mori pjesë në ceremoninë e diplomimit në Universitetin Sulejman Demirel në Isparta të Turqisë.

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000