USHT me laborator të gjuhës frënge
Tetovë 16 janar - Ambasadori francez, ekselenca e tij, Bernard Valero, Ministri i arsimit dhe shkencës, Sulejman Rushiti dhe Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti, kanë prerë së bashku shiritin e Laboratorit të gjuhës frënge në USHT. Ky laborator bashkëkohor është mundësuar falë donacionit francez.
Të pranishëm në inaugurim kanë qenë edhe atasheu i kulturës në Ambasadën e Francës, Johann Uhres, Gerard Leyzieux nga “French Language Cooperation”, Claire Chastain i sektorit për bashkëpunim me universitetet dhe Paul Chambry, drejtor i Aleancës Franceze në Tetovë.
Me këtë rast, Rektori i USHT-së Sadi Bexheti tha se kjo qendër do t'u mundësoj studentëve një mësim modern dhe atraktiv të gjuhës frënge. “Jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin me Ambasadën Franceze edhe për sa i përket projektit për Master me Universitetin e Limozhës dhe me Aleancën Franceze të Tetovës, për aktivitetet kulturore e akademike që i organizojmë së bashku” tha në fjalën e rastit, Rektori Bexheti. Ai potencoi se ky donacion do të jetë vetëm në shërbim të studentëve që do ta përdorin këtë qendër për mësim të gjuhës frënge. Ndërkaq, ambasadori Valero tha se kur kanë sjell vendimin për të bërë këtë financim në USHT, kanë pasur para sysh tre objektiva kryesore.
”E para është se studentët e këtij Universiteti e meritojnë këtë laborator sepse ata janë në zemër të aksionit politik dhe diplomatik në vend. Qëllimi i dytë ishte që të jemi përkrah USHT-së dhe evropianizimit të tij dhe objektiva e tretë është që tërë kjo që bëjmë sot të jetë pjesë e bashkëpunimit afatgjatë” tha ekselenca e tij, Valero. Në vazhdim ai ka theksuar se nuk është e arsyeshme që të bëhet vetëm një investim pa rezultate afatgjate.
”Ne në mesin tuaj do të ngelemi edhe përmes Aleancës Franceze në Tetovë, duke ju vënë në dispozicion profesorë të gjuhës frënge dhe duke e bërë këtë bashkë me të gjithë partnerët tonë evropian” tha Valero. Për ta nderuar këtë eveniment, i pranishëm ishte edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës Sulejman Rushiti i cili ka përkrahur fuqishëm këtë projekt. Ai tha se kishte kënaqësi që ishte i pranishëm në këtë ngjarje, jo vetëm pse gjendej në mes të miqve të tij, por edhe për faktin se ata janë bashkatdhetarët e Zhan Monesë i cili i pari hodhi idenë e Bashkimit Evropian, ide kjo të cilën ne po mundohemi ta ndjekim.”Kjo që po ndodh sot, nuk është vetëm materializim i një ideje modeste si e quan zotëri Valero, por është edhe mobilizim i forcave për të ndërtuar
Evropë të bashkuar, e cila i respekton diversitetet dhe kualitetin, që gjeneratat e reja i pajis me dije për të siguruar qëndrueshmëri për në BE” tha Rushiti. Ai nënvizoi se Franca ka dhënë një mbështetje të fuqishme drejt ngritjes së kapaciteteve në Maqedoni me qëllim që të përgatitet shoqëria jonë drejt sfidave që na presin gjatë rrugës për ne BE. ”Ajo që sot përurojmë paraqet fillimin e një bashkëpunimi i cili do të rezultojë me shumë rezultate konkrete edhe në të ardhmen”, tha ministri Rushiti.
Zyra për informim e USHT-së |
WEB MAIL Sign in apo Regjistrohu




