Diskutim shkencor me temë “ 60 vjet të Kushtetutës së Gjermanisë: Kushtetuta për Evropën Perëndimore dhe në Ballkan si bazë për demokraci dhe shtet juridik”
Nën organizimin e Konrad Adenauer Stiftung – KAS, në Universitetin Shtetëror të Tetovës u organizua diskutim shkencor me temë: “60 vjet të Kushtetutës së Gjermanisë: Kushtetuta për Evropën Perëndimore dhe në Ballkan si bazë për demokraci dhe shtet juridik”.

Prorektori për studime pasdiplomike i USHT-së, prof. dr. Fejzulla Shabani në fjalën e tij përshëndetëse përgëzoi iniciativën e ndërmarrë me rastin e shënimit të 60 vjetorit të kushtetutës së Gjermanisë. Edhe ambasadorja gjermane, ekselenca e saj Ulrike Maria Knoc ishte e pranishme në këtë diskutim dhe me këtë rast ajo foli për kushtetutën gjermane dhe për historikun e sistemit juridik në Gjermani. Ajo potencoi se kushtetuta gjermane ka arritur të mbes gjallë, sepse ka ndryshuar me kohën dhe është adaptuar me rrethanat e saj. Në këtë linjë ajo bëri gjithashtu paralele me kushtetutën e Maqedonisë.

Rreth kushtetutës gjermane për periudhën prej themelimit të Republikës Federale të Gjermanisë deri sot diskutoi dr. Markus Bekenferde nga Instituti Ndërkombëtar për demokraci dhe asistencë zgjedhore (International IDEA). Ndërkaq, prof. dr. G.J.M van Vilsen, profesor nga Universiteti i Amsterdamit foli për traditën e kushtetutës në Holandë, për krijimin, praktikat politike dhe sfidat evropiane.
Për traditën kushtetuese në Maqedoni diskutoi prof. dr. Renata Treneska Deskovska nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Shkupit ndërsa në temën “Marrëveshja kornizë e Ohrit si shtesë e rëndësishme e Kushtetutës së Maqedonisë” diskutoi prof. dr. Fejzulla Shabani nga Universiteti Shtetëror i Tetovës.
Pas diskutimeve u organizua punëtori me temë “Krahasimi i Kushtetutave evropiane në Evropë në shekullin XXI – Demokracia dhe shteti juridik kundruall globalizimit dhe kërcënimeve ndërkombëtare” e udhëhequr nga profesorë të USHT-së, UEJL-së, Fakultetit Juridik të Shkupit, New York Universitetit në Shkup dhe Universitetit FON.

Pjesëmarrës ishin profesorë e studentë nga fushat juridike të USHT-së, UEJL-së, Universitetit “Kirili dhe Metodi”, New York University në Shkup dhe Universitetit FON.
|