Debati Universitar: USHT, të arriturat, akreditimet e standardet
15 maj 2008 – Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti, kryetari i Senatit të USHT-së, prof. dr. Lutfi Istrefi dhe prof. dr. Fejzulla Shabani, përfaqësues në Këshillin për akreditim ishin pjesëmarrësit në Debatin Universitar të radhës organizuar nga Radio Televizioni i Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës.

Në debat u diskutuan të arriturat dhe sfidat që kanë hasur udhëheqësit e USHT-së gjatë periudhës 18 mujore duke u përqendruar në disa pika kryesore si akreditimi i programeve studimore për studimet e ciklit të parë dhe ato të ciklit të dytë (master) e sidomos për Fakultetin e shkencave të mjekësisë duke vazhduar fokusin në standardet që ka arritur USHT-ja, cilësinë e studimeve, stafin e angazhuar ligjërues e deri tek objektet dhe hapësirat në dispozicion për studentët e Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Rektori Bexheti foli për angazhimin e tij që nga dita e parë, të Rektoratit dhe të të gjithë stafit akademik në drejtim të akreditimit të programeve studimore që përfundoi me sukses. “Këtë vit ne do të startojmë me ciklin e dytë të studimeve-studimet master në thuajse të gjitha fushat, përjashtim disa fakultete, studimet e të cilëve rregullohen me ligje të posaçme. Ne kemi akredituar studimet e ciklit të dytë në përputhshmëri me Ligjin e ri për arsim të lartë dhe Sistemin e Bolonjës duke u ofruar studentëve tanë sistemin më të përshtatshëm për studime dhe mundësi më të shumta për punësime, pikërisht nga fati se vitet në vijim për një numër të konsiderueshëm ofertash pune/pozitash do të kërkohen tituj përkatës. Për këtë arsye në kemi akredituar studimet master me kohëzgjatje prej 1 dhe 2 vitesh me gjithsej 60 respektivisht 120 kredi për vazhdimin e studimeve për studentët që në ciklin e parë kanë akumuluar 180 respektivisht 240 kredi, e në fund duke përfunduar studimet e ciklit të dytë me gjithsej 300 kredi.

E arritura më e madhe e USHT-së është akreditimi i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë me programet studimore: mjekësi e përgjithshme, stomatologji, farmaci dhe infermieri, qëllim që kemi realizuar me angazhim të madh dhe me përkrahje të partisë politike shqiptare në pushtet, Ministrisë së arsimit dhe asaj të shëndetësisë.”- u shpreh Rektori, prof. dr. Sadi Bexheti.
Rreth stafit të angazhuar në USHT, Rektori potencoi se numri arrin 750, prej të cilëve 650 janë ligjërues, bashkë të rregullt dhe part-time dhe pjesa tjetër prej 100 janë administratorë. Këtij numri i shtohen edhe mbi 50 viziting profesorë nga Amerika, Gjermania, Franca, Austria e nga më shumë Universitete të rajonit. Të gjitha punësimet janë realizuar në pajtueshmëri me ligjet, përmes shpalljes së Konkursit, mandej shpalljes së recensioneve që më pastaj kanë kaluar në filtrat e Këshillave të Fakulteteve.

Rektori foli edhe për hapësirat duke numëruar ato që janë në fazë përfundimtare dhe ato që planifikohen shumë shpejt të vihen në shfrytëzim për studentët, si dhe mbi planet në të ardhmen.
Kryetari i Senatit të USHT-së, prof. dr. Lutfi Istrefi potencoi se USHT-ja që nga fillimet e veta në 1994 e deri tani ka krijuar një eksperiencë akademike dhe ka krijuar standarde akademike për të zhvilluar studime. “Ne kemi një thelb të mirë mësimdhënësish dhe në këtë kontekst Rektorati ka një strategji të avancimit të stafit akademik dhe tërheqjes së stafit të ri“ u shpreh Kryetari i Senatit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi në Këshillin për akreditim pranë Ministrisë së arsimit, prof. Fejzulla Shabani foli mbi procedurat e akreditimit dhe numrin e fakulteteve dhe programeve studimore të akredituara për ciklin e parë të studimeve dhe atë të dytë si dhe informoi se tani më veç punohet në drejtim të përpilimit të dokumentacionit për ciklin e tretë të studimeve. “USHT-ja pas akreditimeve mbulon çdo fushë të studimeve, përfshirë edh studimet e mjekësisë tanimë të akredituara. Udhëheqësia e USHT-së ka punuar intenzivisht dhe ka realizuar qëllimin për akreditimin e ciklit të dytë të studimeve për shumicën e Fakulteteve. Këtë javë edhe do të shpallet Konkursi për studimet deridiplomike dhe Konkursi për studimet pasdiplomike” u shpreh prof. Shabani.
Në debat ishin të pranishëm profesorë e studentë nga të gjitha fakultetet të cilët u kyçën në debat.