USHT promovoi studimet master
16 maj 2008 – Para dekanëve, shefave të programeve studimore, profesorëve dhe studentëve, Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti dhe Ministri i arsimit dhe shkencës z. Sulejman Rushiti promovuan akreditimin e studimeve të ciklit të dytë – master në USHT.

Ministri i arsimit dhe shkencës, z. Suleman Rushiti u shpreh se Universiteti Shtetëror i Tetovës me akreditimin e ciklit të parë të studimeve dhe ciklit të dytë të studimeve formësohet si një qendër hulumtuese-kërkimore. “Këto drejtime të reja të akredituara dhe studimet master i krijojnë mundësi profesorëve që t’i përcjellin njohuritë gjeneratave të reja. Universiteti Shtetëror i Tetovës me përkrahjen tonë maksimale ka realizuar shumicën e qëllimeve të përcaktuara duke filluar nga akreditimet e programeve studimore, rregullimin e çështjes së hapësirave dhe objekteve, rritjen e kapaciteteve akademike dhe kjo e fundit fillimin e studimeve master. Ne edhe më tutje do të vazhdojmë të përkrahim fuqishëm USHT-në, duke kompensuar kështu vite të humbura në mungesë të institucioneve të larta arsimore në të kaluarën.”- u shpreh ministri Rushiti.

Nga ana tjetër, Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti shprehu falënderime publike Ministrit të arsimit dhe shkencës për përkrahjen e dhënë, Universiteteve publike të Shkupit dhe Manastirit që kontribuan në grupet punuese për akreditimin e programeve studimore të ciklit të dytë të studimeve master.
“Me akreditimin e studimeve master, Universiteti Shtetëror i Tetovës përfundimisht merr fizionominë e vërtetë dhe të plotë. Që nesër do të shpallet Konkursi për studime pasdiplomike në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Të gjitha premtimet e bëra po realizohen falë angazhimit të të gjithë stafit akademik e administrativ dhe përkrahjes politike e institucionale.” u shpreh Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti.

Të pranishmëve iu drejtua edhe përfaqësuesi i Universitetit në Këshillin për akreditim pranë MASH-it, prof. dr. Fejzulla Shabani: “Ishte privilegj dhe barrë njëkohësisht të isha përfaqësues në Këshillin për akreditim, por me një punë intensive të udhëheqësisë dhe Fakulteteve të USHT-së dhe mbështetjen e Ministrisë së arsimit dhe shkencës, të gjitha programet studimore u akredituan. Janë gjithsej 40 programe studimore të akredituara të ciklit të dytë të studimeve në universitetin Shtetëror të Tetovës”.
Të pranishëm në promovim ishin edhe Rektorët e universiteteve shtetërore në Maqedoni, përfaqësues të Qeverisë dhe të institucioneve tjera.
Më pas u organizua edhe press-konferencë për gazetarët dhe një koktej për të pranishmit.
Zyra për informim e USHT-së.