Universiteti Shtetëror i Tetovës:

Universiteti Shtetëror i Tetovës
rruga e Ilindenit pn, 1200 Tetovë, Republika e Maqedonisë
Tel: +389 44 356 500
Fax: +389 44 334 222
e-mail:international@unite.edu.mk
USHT-ja shënon përvjetorin e ligjëratave të para dhe përkujton dëshmorin Abdylselam Emini
Tetovë, 16 shkurt - 13 vjetorit i ligjëratave të para dhe rënies së dëshmorit të arsimit Abdylselam Emini, është shënuar me një manifestim tre ditësh. Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Unioni i Studentëve të USHT-së, me një sërë aktivitetesh e kanë shënuar këtë ditë të rëndësishme.
Shënimi i kësaj dite ka filluar me homazhet mbi varrin e dëshmorit, Abdylselam Emini, si dhe vënien e kurorave në bustin e dëshmorit, pranë Fakultetit të Arteve, për të vazhduar me një vizitë familjes Emini.
“Me këtë kërkojmë t’u bëjmë me dije gjeneratave të reja se dikush ka sakrifikuar edhe jetën për këtë Universitet. Organizime të tilla do të ketë edhe në të ardhmen dhe USHT-ja gjithmonë do ta kujtojë Abdylselam Eminin dhe gjithë të tjerët që sakrifikuan për Universitetin”, ka thënë prorektori për shkencë doc. dr. Agim Shabani, gjatë vizitës në familjen Emini.
“Ne si familje dhe unë si djalë i dëshmorit jemi krenar për babanë tim. Falënderojmë studentët dhe Universitetin që na japin një përkrahje morale, për këtë që na nderojnë neve për ç’do vit”, tha Besir Emini, djali i dëshmorit. “USHT-ja ndjen obligim që ta vizitojë këtë familje, t’i vizitojmë njerëzit të cilët në atë kohë na u burgosën, të vizitojmë njerëzit të cilët u angazhuan dhe kontribuuan që ky Universitet 10 vjet me radhë të punojë pa ombrellën e qeverisë. T’i kujtojmë ata njerëz, të cilët sakrifikuan edhe gjithmonë të jemi përkrah familjeve të tyre”, ka thënë shefi i Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare në USHT, doc. Senad Abdyli.
Me këtë rast është organizuar edhe një orë letrare, ku poezitë e tyre i kanë recituar poetë nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e USHT-së. Manifestimi ka vijuar me vizitë në fshatin Poroj, ku për herë të parë u mbajtën ligjëratat e para, më 16 dhe 17 shkurt të vitit 1995. Delegacioni i USHT-së, në Poroj është pritur nga udhëheqësit e Këshillit vendor, deputeti i zonës, Daut Rexhepi – Leka, pjesëmarrësit e ligjëratave të para, Kryetari i Bashkësisë Lokale të asaj kohe, prof. Nevzat Halili dhe personalitete të tjera nga ky fshat. Të pranishmit në mësonjëtoren (Mejtepin) e Porojit kanë evokuar kujtime nga 17 shkurti i vitit 1995. |
WEB MAIL Sign in apo Regjistrohu



