6

Zgjidhje statusi për afër 2.500 studentë për të vijuar studimet në USHT

Me angazhimin e drejtpërdrejtë të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti, i cili ndërmori një nismë brenda strukturave qeveritare për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për arsimin sipëror, që ka të bëjë me shkurtimin e afateve dhe përshpejtimin e procedurave administrative për njohjen e diplomave dhe të studimeve të Universitetit të Tetovës, të hënën e kaluar, në formë të amendamentit u miratua ky propozim ligj edhe nga shumica e deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë.

Miratimi i këtij ndryshimi dhe plotësimi të ligjit për njohje të diplomave universitare është në interes të drejtpërdrejtë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, ku nga mosinteresimi i garniturave të mëparshme udhëheqëse të këtij institucioni dhe ish-ministrisë së arsimit dhe shkencës, afër 2.500 studentë kishin mbetur me status të pazgjidhur, ndërsa kandidatët që kishin kryer studimet përkatëse në këtë universitet ishin mjaft të shqetësuar për fatin e mëtejmë të kualifikimit të tyre, për shkak të përballjes me probleme të shumta gjatë punësimit, vazhdimit të studimeve në vend dhe jashtë, si dhe me pengesa të tjera. Ministria e Arsimit deri më tash ka mundësuar dy herë transferimin e studentëve, por ka qenë e përkufizuar. Shansi i parë ishte dhënë në vitin 2000, kur kjo mund të bëhej në universitetet e Shkupit, Manastirit më vonë edhe të UEJL, kurse transferimi i dytë u hap në vitin 2004, kur legalizimi mund të bëhej edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Në të dy rastet e mëparshme, prej mundësisë për njohjen e diplomave ishin të përjashtuar ata që i kanë regjistruar studimet e magjistraturës dhe të doktoratës, të cilat mbetën të pa legalizuara me ligjin për themelimin e USHT-së. Me ndryshimin e ligjit të lartpërmendur, të gjithë që kanë regjistruar studime pasdiplomike dhe doktorata, do të legjitimohet përmes mekanizmit të zyrtarizimit dhe njohjes së diplomave të tyre. Vlen të theksohet se janë ndërmarrë të gjitha masat që procedurat do të kryhen brenda harkut kohor të tetë ditëve.

Për rrjedhojë ky hap konsiderohet lehtësim i madh për kandidatët e diplomuar në këtë universitet, gjatë hapjes së procedurave të njohjes së diplomave të tyre dhe vërtetimit të tyre me vula të ligjshme. Plotësimi i Ligjit për njohjen e diplomave brenda tetë ditëve, sipas ministrit Sulejman Rushiti, do të vlejë edhe për kandidatët që kanë diplomuar në 500 universitetet e jashtme, që janë në listën e bashkëpunimit të kësaj ministrie. Ata që kanë diplomuar në universitete jashtë kësaj liste, nostrifikimin do të mund ta bëjnë më së voni për 20 ditë. Kurse, afati i fundit vlen deri më 31 dhjetor 2008. Po qe se universiteti përkatës nuk përgjigjet me shkrim për diplomimin e kandidatit të caktuar, diploma e tij do të nostrifikohet me automatizëm. Agim Ramadani, deputet i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), duke i mbështetur ndryshimet në ligjin për njohjen e diplomave, ka vënë në pah gjatë debatit parlamentar se fakultetet përkatëse deri më tash kanë bërë obstruksione të ndryshme, me qëllim të zvarritjes së afatit të nostrifikimit të diplomave, sidomos në fushën e mjekësisë. Në praktikën e deritashme, që është trashëguar nga qeveria dhe nga ministria mëparshme e arsimit, legalizimi i studimeve të UT-së përkufizohej deri në shkallën universitare. Inkorporimi i studimeve të magjistraturës dhe të doktoratës, në propozim ligjin e tanishëm shënon një arritje të madhe për një numër të konsiderueshëm të studentëve. Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Jovan Llazarov ka deklaruar se me ndryshimet dhe plotësimet e këtij ligji bëhet harmonizimi i tij me Deklaratën e Bolonjës dhe atë të Lisbonës.

 

Zyra për Informim e USHT-së  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.