Bashkim Idrizi prezantoi në Konferencën Ndërkombëtare mbi Hartografi në Evropën Qendrore dhe Lindore
Vjenë, Austri - Prej 15 deri 17 Shkurt 2009, në “Universitetin Teknik të Vienës”, në Vienë të Austrisë, nën ombrellën e “ICA – International Cartographic Association” u organizua konferencë ndërkombëtare me titull “ICA Symposium on Cartography in Central and Eastern Europe”. Nikoqir i evenimentit në fjalë ishte prof. dr. Georg Garnter nga Universiteti Teknik i Vjenës, ku nuk mungoi as presidenti i “ICA” prof. dr. William Cartwright.

Simpoziumi kryesisht ishte i organizuar në tre pjesë, pikërisht në “PhD/Master Forum”, “Paper presentations” dhe “Poster presentations”. Tubimi në fjalë u hap nga presidenti i “ICA” zt. William Cartwright, ndërsa prezantimin kryesor e mbajti prof. dr. Ferjan Ormeling nga Holanda. Në simpozium morën pjesë mbi 150 pjesëmarrës nga e gjithë bota, ku u prezantuan 52 punime shkencore, 22 poster prezantime dhe 12 tema të doktoratave-magjistraturave. Në konferencën në fjalë, profesori nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore të USHT-së, doc. dr. Bashkim Idrizi u prezantua me punimin me titull “Research for defining of most appropriate state map projection for the Republic of Kosova”, në koautorësi me prof. dr. sc. Murat Meha nga Universiteti i Prishtinës, Milot Lubishtani dhe Fitore Bajrami nga Agjencioni Kadastral i Kosovës. Gjatë prezantimit, profesor Idrizi theks të veçantë i kushtoi rezultateve të arritura nga hulumtimi i realizuar, me ç’rast paraqiti sisteme të reja të koordinatave për Republikën e Kosovës të propozuara për përdorim të brendshëm dhe ndërkombëtar, shumë më të përshtatshme në krahasim me sistemin aktual shtetëror të definuar në vitin 2001 me emrin KOSOVAREF 01. Në fund të prezantimit prof. Bashkim Idrizi para të pranishmëve paralajmëroi se hulumtimet mbi gjetjen e rrugëve të reja për definimin e sistemit të koordinatave shtetërore me qëllim të minimizimit të shformimeve lineare duke inkorporuar edhe topografinë e terrenit është në proces e sipër, ku si test model për hulumtimin e ardhshëm do të jetë territori i Maqedonisë, si metodologji e re autoktone e prof. Idrizit, me qëllim të shmangies nga metodat e njohura klasike, me shpresë që rezultatet nga hulumtimi i radhës të prezantohen në një ndër konferencat e ardhshme të “ICA”.

Tubimi përfundoi me vlerësime të larta të këshillit organizativ mbi kualitetin e punimeve të prezantuara, si dhe me shpresë se pjesëmarrësit do të takohen përsëri në Santiago të Çiles në nëntor 2009, në konferencën botërore që organizon “ICA” çdo dy vjet, ku profesor Bashkim Idrizi veç më ka dorëzuar punimin e tij shkencor të radhës. |