Sfidat e Republikës së Kosovës në rrugën e integrimit
Tetove, 17 Prill 2008 – I ftuar në debatin universitar të organizuar nga Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Televizioni i Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe, ishte ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku.
Në debat u diskutuan tema të skenës politike në Kosovë dhe rajon, çështjet e hapura brenda Kosovës, demarkacioni dhe tema të tjera aktuale.
Në pyetjen e udhëheqëses se a ka ndërtuar Kosova themele të sigurta për krijimin e shtetit Zt. Çeku tha se vendosja e Kosovës bëhet mbi parime të shëndosha dhe se Kosova ka ndërtua bazat e shtetit mbi institucione të shëndosha të njohura edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Në këtë kontekst ai shprehu edhe mirënjohje për bashkësinë ndërkombëtare që ka dhënë kontribut në ndërtimin e Kosovës si shtet të pavarur posaçërisht për përkrahjen nga Shtetet e bashkuara të Amerikës që njëkohësisht janë edhe miq të Kosovës.

Çështja e serbëve të Kosovës sipas Zt. Çekut mund zgjidhet me anë të ndikimit të bashkësisë ndërkombëtare mbi Beogradin, duke mos i lënë hapësirë të manipulimit me serbët e Kosovës. Ndërsa për sa i takon votimit të serbëve në zgjedhjet e ardhshme në serbi, zt. Çeku tha se qeveria kosovare është kundër një dukurie të këtillë dhe ka përkrahje nga misionet monitoruese dhe UNMIK-u pasi nuk mund të lejohet që të krijohen komunitete brenda shtetit siç ka ndodh në shtetet tjera të ish-Jugosllavisë.
Ish-kryeministri shprehu falënderimet e tij dhe shqiptarëve të Kosovës për të gjithë shtetet që kanë njohur Kosovën deri më sot, por ai poashtu theksoi se është pritur njohje më dinamike. Përkundër njohjes kualitative theksoi se Kosova ka nevojë për njohje nga një numër kritik i shteteve që do ti mundëson integrimin më të lehtë në organizata ndërkombëtare siç është FMN, Banka botërore etj.

“Edhe pse Maqedonia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, Maqedonia ka mbështetur pakon e Ahtisarit. Kjo është shumë me rëndësi pasi që bashkësia ndërkombëtare nuk do të punonte aq shumë në drejtim të pavarësimit të Kosovës po që se kishte vlerësime negative nga shtetet fqinjë për këtë proces” – theksoi Çeku lidhur me njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia.
Lidhur me çështjen e demarkacionit duke pas parasysh marrëveshjen Shkup - Beograd, Çeku tha se kjo çështje duhet të zgjidhet në frymë miqësore por duke mos cenuar të drejtat pronësore të njerëzve të cilët me vite kanë jetuar dhe punuar në atë tokë. Besohet se së shpejti do të finalizohet ky proces pasi tani më janë krijuar dy komisione të cilat janë duke punuar në gjetjen e formulës së pranueshme për të dy palët.

Skena politike në Maqedoni ishte poashtu një nga temat të cilat u shtjelluan në këtë debat dhe sugjerim i Zt. Çekut për bllokun politik shqiptar ishte se të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet të tregojnë unitet kur bëhet fjalë për çështjet shqiptare dhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit duke përmendur me këtë rast shembullin e unitetit të treguar nga partitë politike në Kosovë para bashkësisë ndërkombëtare.
Lidhur me lirimin e Ramush Haradinajt ish-kryeministri tha se lirimi i tij dhe shpallja e tij të pafajshëm nga gjyqi i Hagës dëshmon edhe një herë se lufta e kosovarëve ka qenë e drejtë dhe se kosovarët kanë luftuar për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Inkuadrimi i sërishëm i Haradinajt në skenën politike kosovare do të sjell sërish një dinamikë të re duke pas parasysh entuziazmin e Haradinajt veç më të dëshmuar- potencoi Çeku.
Partia social-demokrate është parti parlamentare e cila ka pjesëmarrje konstruktive në proceset politike në Kosovë duke potencuar se tani është koha që pakoja e Ahtisarit të shndërrohet në ligje dhe Kosova të fokusohet në krijimin e kushteve sa më të mira për qytetarët e vet me theks të veçantë në akomodimin e pakicave , zhvillim ekonomik, vendosje të shërbimeve konsulare etj.
Mundësia e vënies së vetos nga Kina dhe Rusia kundër anëtarësimit të Kosovës në Kombet e bashkuara ishte një nga pyetjet e publikut për të cilën Çeku tha: “Kemi parasysh se as Kina as Rusia nuk do të kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në KB kur një ditë Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës”. Kundërshtimi i Rusisë për proceset që kanë ndodh në Kosovë asnjëherë nuk kanë qenë për “hatër” të Serbisë por kjo ka ndodh sepse Rusia vazhdimisht dëshiron të tregon veten se është fuqi.
Tema përmbyllëse e debatit ishte çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për të cilën Çeku tha se edhe kjo çështje duhet të zgjidhet me masa demokratike sepse koha e luftërave ka mbaruar.