Universiteti Shtetëror i Tetovës:

Universiteti Shtetëror i Tetovës
rruga e Ilindenit pn, 1200 Tetovë, Republika e Maqedonisë
Tel: +389 44 356 500
Fax: +389 44 334 222
e-mail:international@unite.edu.mk
Debat universitar: Studentët përballë studentëve
Tetovë, 21 shkurt – “Studentët përballë studentëve” ka qenë tema e radhës në Debatin Universitar. Të enjten në mbrëmje, para auditorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe TVM-së, kryetari i Unionit të Studentëve të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Gadaf Uzeiri, anëtarja e Kryesisë së Unionit, Nebahate Zyberi, si dhe sekretari i përgjithshëm, Fisnik Shabani, janë përballur me kolegët e tyre studentë, duke diskutuar për një sërë problemesh me të cilat përballen aktualisht studentët e USHT-së. Udhëheqësi i Unionit të Studentëve dhe dy bashkëpunëtorët e tij kanë hapur çështje të standardit studentor, jetës kulturore dhe zbavitëse, si dhe kanë elaboruar agjendën e aktiviteteve të US-USHT-së për semestrin e ardhshëm.
Kryetari i US-USHT-së, Gadaf Uzeiri ka folur edhe për nevojën që kanë studentët për Bibliotekën Universitare. “Edhe Shkupi, edhe Prishtina, Tirana dhe të gjitha qytetet universitare kanë Biblioteka Universitare apo Kombëtare. Përse mos ta kemi edhe ne në Tetovë? Përderisa Qeveria e ka lejuar ndërtimin e Bibliotekës në Tetovë, tash si problem paraqitet Komuna e Tetovës.
Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet, do të kërkojmë takim me udhëheqësit e komunës, nëse kjo nuk ndodh do bëjmë peticion, protesta ..., mbase edhe diçka tjetër”, tha kryetari i US-USHT-së, Uzeiri. Në vazhdim, ai është shprehur i kënaqur nga puna e ekipit të tij, duke potencuar se, në radhët e US-USHT-së bëjnë pjesë studentë të dalluar, nga të gjitha fakultetet e USHT-së. Ai gjithashtu është shprehur se kërkesat e parashtruara nga ana e US-USHT-së, deri më tani janë trajtuar me një kujdes të madh nga ana e Rektoratit dhe shumica e këtyre kërkesave, sipas tij, janë zgjedhur në dobi të studentëve.
“Vetë natyra e Unionit të Studentëve është e tillë. Jo vetëm në Universitetin tonë, por gjithkund unionet studentore sa gëzojnë simpati aq kanë edhe kritika. Puna jonë ka një karakter kompleks, por ne përpiqemi që t’i përmbushim të gjitha kërkesat që dalin si nevojë për studentët”, ka thënë Uzeiri. Në anën tjetër, anëtarja e kryesisë së US-USHT-së, Nebahate Zyberi ka folur për bashkëpunimin që ka US-USHT me organizatat tjera. “US-USHT ka krijuar një rrjet të mirë të bashkëpunimit. Kemi bashkëpunim me shumë organizata si motra dhe me organizata të ndryshme joqeveritare. Do të kisha theksuar bashkëpunimin me OJQ-në “Multikultura”, me të cilën kemi realizuar edhe një debat lidhur me trafikimin me njerëz”, ka thënë Zyberi. “Studentët mund ta vlerësojnë më së miri punën tonë.
Në këtë drejtim do të potencoj vetëm disa aktivitete, duke nisur nga ulja e çmimeve për paraqitjen e provimeve, po ashtu kemi filluar me programin studentor në Radio “Focus”. Jemi në përfundim të përgatitjeve me startimin e gazetës së studentëve, si dhe shumë aktivitete të tjera”, ka thënë sekretari i US-USHT-së, Fisnik Shabani. Në këtë edicion të Debatit Universitar, të ftuar në “këndin blu” kanë qenë kryetari i Unionit të Studentëve të UEJL-it, Agon Ferati, doc. dr. Myqereme Rusi, dekane e Fakultetit Filozofik dhe dekani i Fakultetit të Arteve, doc. mr. Safet Spahiu. |
WEB MAIL Sign in apo Regjistrohu



