QeSHK - Tryezë e rrumbullakët
Tryeza e rrumbullakët e QeSHK-ut paraqet një seri diskutimesh akademike të organizuara nga Qendra për shërbime studentore dhe karrierë. Qëllimi parësor i këtyre diskutimeve është zgjerimi dhe thellimi i diskursit akademik brenda Universitetit Shtetëror të Tetovës.

USHT, 21 prill, Tetovë Qendra për Shërbime Studentore dhe Karrierë në bashkëpunim me departamentin e gjuhës gjermane më datë 21 prill 2009 organizoi një tryezë të rrumbullakët me temë ‘’Vlerat perëndimore në kulturë dhe arsim’’. Në këtë tryezë pjesëmarrës ishin Doc. Dr. Izer Maksuti (moderator), Prof. Dr. Antonia Opitz, Ass. Alida Emini, Ass. Mamer Ibrahimi dhe Ass. Shaqire Sabriu. Të pranishëm ishin edhe profesorë të tjerë si dhe studentë të departamentit të gjuhës gjermane.
Moderatori, Doc.Dr.Izer Maksuti në fjalën e tij hyrëse përshëndeti këtë iniciativë të QeSHK-ut dhe uroi që organizime të këtilla të ketë edhe në të ardhmen. Ai prezantoi të pranishmit dhe theksoi se bëhet fjalë për një temë mjaft të koklavitur por për të cilën ka shumë nevojë që të diskutohet.
Prof. Dr. Antonia Opitz u shpreh se kjo temë i intereson mjaft andaj ka kënaqësinë që të merr pjesë në një tryezë të këtillë. Ajo theksoi se këto vlera nuk duhet të merren por të trashëgohen andaj ka vështirësi në një proces të këtillë. Ajo gjithashtu tha se globalizmi, po i sjell më afër kulturat e ndryshme, që me automatizëm sjellin ndryshime në adoptimin e vlerave të ndryshme.
Theks të veçantë iu dha nocionit të familjes. Prof. Opitz mendon se ky element, si vlerë më vete, ka humbur në Perëndim dhe kjo vjen si rezultat i mungesës së kohës së individit për jetë familjare. Poashtu, theks i veçantë iu kushtua edhe barazisë gjinore si një ndër faktorët e ndryshimit në perëndim. Ndërkaq sa i përket tolerancës fetare, Prof. Dr. Opitz vlerësoi shumë prezencën e tolerancës ndërfetare, të pranishme mes nesh.

Të gjithë panelistët sollën në debat përvoja personale ose akademike të fituara në Perëndim. Andaj edhe më lehtë mund të krahasonin ngjashmëritë dhe dallimet midis vlerave të pranishme në shoqërinë tonë dhe vlerave perëndimore. Ajo për çka u pajtuan të gjithë ishte se nocioni ‘’vlerë perëndimore’’ është një nocion shumë i gjerë dhe mund të definohet në mënyra të ndryshme. Se çka merret si vlerë varet nga botëkuptimet që mbizotërojnë në një shoqëri të caktuar.
Në diskutim aktivisht u kyçën edhe studentët të cilët me pyetje dhe komente debatuan me të pranishmit.
Diskutimet u mbajtën në gjuhën shqipe dhe në gjuhën gjermane.
QeSHK-u në shenjë mirënjohjeje për të gjithë pjesëmarrësit shtroi një koktej modest në lokalet e Qendrës.
Tryeza e ardhshme: 6 maj-departamenti i psikologjisë: “Qasja ndërdiciplinare ndaj kujdesit të shëndetit mental”
|