
Lajmet:
Fjalimi i Rektorit të USHT-së doc.dr.Agron Reka, Në Akademinë e 100 vjetorit të Kongresit të Dibrës
Të nderuar zonja dhe zotërinj. Është nder dhe privilegj që sot të jem këtu me ju në këtë datë historike për kombin shqiptar. Çka e bën kaq te veçante datën e sotshme? Cilat janë ato vepra që e bënë kaq te njohur këtë datë? Të gjithë e dimë se si u ”gatua” Kuvendi i Dibrës dhe në ç’rrethana Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” e organizoi atë. Por kjo nuk është pjesa në të cilën do të ndalem. Ajo që është simbolike për këtë datë është se në këtë kuvend u luftua çështja që gjuha shqipe te mësohej lirshëm në Shkollat Shqipe. Ishte kërkesa e Atdhetareve që të themelohen shkolla shqipe në të gjithë Shqipërinë dhe për çdo shqiptar.
Kuvendi i Dibrës në 1909, Vendimet e 3 Kuvendeve komunale duke filluar me atë te Dibrës, e më vonë të Tetovës dhe Gostivarit më 1994 sollën vendimin për themelimin e Universitetit te Tetovës, pastaj Zyrtarizmi i Universitetit Shtetëror te Tetovës më 2004 në histori do mbeten si data të rëndësishme për popullin Shqiptar në Maqedoni. Data të cilat duhet të jenë si udhërrëfyes për të ardhmen tonë. Data prej të cilave kemi mësime. Data prej të cilave mund të dallohet e mira prej të keqes. Data ku triumfon drejtësia. Data ku fiton i tërë populli. E jo data të reja të përsëritjes së mëkateve dhe tradhtive të së kaluarës së hershme dhe të vonshme. Te gjithë që sot jemi këtu, por edhe ato që janë duke na ndjekur përmes mediave e dinë se sa sakrifica ka pasur populli ynë. Sakrifica më e madhe ka qenë ajo e të shkruarit dhe të mësuarit Shqip. Sakrificë ishte edhe themelimi i Universitetit Shtetëror të Tetovës. Universitet ky që pati shume armiq të jashtëm por më keq edhe të brendshëm. Falë vullnetit të popullit sot jemi këtu dhe gjerat po ndryshojnë. Padyshim që çdo gjë ndodh me lejen e Zotit. Te nderuar: Jam sot këtu në 100 vjetorin e Kuvendit te Dibrës në rolin e ushtruesit të detyrës Rektor i USHT-së. Jam këtu po me të njëjtin synim dhe aspiratë që e patëm prej themelimit të këtij institucioni, të njëjtin synim dhe aspiratë që patën patriotet e atdhetaret tanë më 1909. Jam në shërbim të studenteve dhe të diturisë. Jam këtu që njëherë e përgjithmonë të ndërpritet thithja e pamëshirshme e gjakut të këtij institucioni. Jam këtu për drejtësi dhe për një sistem meritor, një Universitet Shtetëror te Tetovës – Qendër e Kualitetit. Një universitet i fuqisë intelektuale Shqiptare në Maqedoni që në mënyrë të barabartë do te kyçet në hapësirën Evropiane të arsimimit të lart ku dija dhe njohuria janë virtyte me të cilët ajo do identifikohet. Jam këtu që të plotësohet dëshira e të parëve tanë që iu përballën një perandorie të tërë. Të nderuar të pranishëm! Nuk mundemi t’i ndërrojmë dhe përmirësojmë gjërat nëse mendojmë në mënyrën e njëjtë si që mendonim kur i krijuam ato. Është koha e ndryshimeve, koha e punës, drejtësisë dhe respektit. Ju faleminderit! |


PARLAMENTI I STUDENTËVE 
