Universiteti Shtetëror i Tetovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Goce Delçev” - Shtip
Të hënën, 24 dhjetor 2007 u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Universitetit “Goce Delçev” nga Shtipi. Marrëveshja është firmosur nga Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti dhe Rektori i Universitetit të Shtipit, prof. dr. Sasha Mitrev. Kjo marrëveshje bashkëpunimi dhe ato paraprake me Universitetet tjera shtetërore në Republikën e Maqedonisë plotësojnë në tërësi bashkëpunimin mes universiteteve shtetërore në Maqedoni.
Marrëveshja e bashkëpunimit me Universitetin “Goce Delçev” përfshin bashkëpunimin në fushat si shkëmbimi i studentëve, realizimi i sistemit të evaluimit për vlerësim të kualitetit, zgjerimi i bashkëpunimit me universitete tjera si dhe mes organizatave studentore, veprimtaria hulumtuese-kërkimore, veprimtaria botuese, përkthime të ndërsjella të literaturës etj. Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti u shpreh se kjo marrëveshje është më se e nevojshme në drejtim të avancimit arsimor të shoqërisë, kur dihet se një përqindje shumë e vogël e qytetarëve të Maqedonisë janë me arsim të lartë.
“Kjo marrëveshje dhe marrëveshjet tjera ndikojnë pozitivisht në mobilizimin e forcave të përbashkëta për avancimin e arsimit në përgjithësi. Një motiv tjetër për bashkëpunim është edhe nevoja për të aplikuar në projekte të ndryshme ku kërkohen aplikime të përbashkëta të institucioneve të larta arsimore.”- u shpreh Rektori Bexheti.
Nga ana tjetër, Rektori i Universitetit të Shtipit, prof. dr. Sasha Mitrev u shpreh se dy universitetet kanë pasur një evolucion shumë të ngjashëm dhe si dy universitete të ri në Maqedoni është më se e domosdoshme të bashkëpunojnë dhe të ndihmohen mes veti. “Realisht mund t'i ndihmojmë njëri tjetrit, sidomos në shkëmbimin e profesorëve e studentëve, pastaj në veprimtarinë botuese, projekte të përbashkëta etj.” |
WEB MAIL Sign in apo Regjistrohu


