Roli shqiptarëve në procesin e integrimit
Tetovë, 24 Prill 2008 – Mysafirë në debatin universitar të organizuar nga Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Televizioni i Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe, ishin profesor James Pettifer historian nga Britania e Madhe, profesor Berndt Fisher nga SHBA-të, profesor Biqir Meta nga Shqipëria dhe profesor Vebi Xhemaili nga Maqedonia. Prezent në sallë ishin edhe historian të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova, pjesëmarrës në Konferencën shkencore të historisë që mbahet me 25 Prill 2008 organizuar nga USHT.

Tema e cila hapi këtë debat ishte dinamika e integrimit të shqiptarëve në rajon për të cilën çështje komentet e të ftuarve ishin se më e rëndësishme ishte pavarësia e Kosovës, mandej integrimi i Shqipërisë në NATO me çka do të jetë shumë më lehtë të zgjidhen disa probleme ndërsa lidhur me çështjen se Maqedonia nuk mori ftesë për NATO, profesori Fisher tha : “NATO kërkon organizim dhe ndoshta Maqedonia nuk ishte e gatshme për bashkëpunim sepse NATO ka kërkesa të mëdha që nuk realizohen lehtë që vlen edhe për Shqipërinë”. Profesor Xhemaili në kontekst të pyetjes se sa shqiptarët janë të inkuadruar në zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë tha se ne si komb i cili përbën një pjesë të madhe të këtij shteti nuk jemi aspak të kyçur në grupet negocuese me Greqinë, gjë që edhe më tepër e dëmton imazhin e Maqedonisë si shtet demokratik para faktorit ndërkombëtar.

Në pyetjen e udhëheqëses se si duket skema politike nga aspekti i faktorit ndërkombëtar, profesori Fisher spjegoi se anëtarësimi në NATO është një proces mjaftë i ndërlikuar i cili nuk mbaron vetëm me thirrjen, por në vete përmban një bashkëpunim të ndërsjellë dhe të vazhdueshëm gjë të cilën duhet ta dinë politikanët e Shqipërisë, e Maqedonia besohet se do të merr ftesën pasi të ketë zgjidhur çështjen me emrin. Edhe pse është një nga problemet për të cilat më së tepërmi është përfolur në opinion dhe ka një kohë të gjatë që për këtë çështje bëhen negociata, sipas profesorit Fisher, kjo nuk është çështje më e rëndësishme se çështja e procesit të reformave ku politikanët duhen koncentruar edhe më shumë.
Profesori Meta ishte i mendimit të njëjtë me profesorin Fisher lidhur me këtë çështje ku ndër të tjera ai tha: “Shqipëria e ka mbështetur anëtarësimin e Maqedonisë në NATO por prap se prap Maqedonia duhet të plotëson disa standarte e posaçërisht të mbyll procesin e kompletimit ligjor që ka të bëjë me bashkëjetesën e komuniteteve brenda saj të emëruar Marrëveshja e Ohrit”. Ai poashtu potencoi se lidhur me çështjen e emrit duhen pyetur edhe shqiptarët pasi edhe ato jetojnë në këtë shtet dhe një qëndrim i përbashkët do të ishte shumë më i qëndrueshëm para opinionit ndërkombëtar.
Lidhur me pyetjen se ku qëndron problemi i mosrealizimit të Marrëveshjes së Ohrit profesori Pettifer u shpreh se proceset politike nuk kanë mundësuar realizim të shpejtë të kësaj marrëveshje dhe faji është i të dyja palëve. Maqedonia ka probleme të natyrës së ndryshme si ai me origjinën dhe liderët janë në status quo dhe nuk kanë ide se si të dalin nga kjo gjendje. Përgjegjësinë kryesore e ka qeveria sepse të kishte punuar qeveria që më herët për krijimin e kushteve më të mira ndoshta nuk do të kishte as probleme në vitin 2001, tha Pettifer. Ndërsa në pyetjen nga publiku se a mendon se çështja e shqiptarëve në Maqedoni do të zgjidhet, Pettifer e komentoi se ndoshta kjo është një arsye më tepër se pse Maqedonia nuk mori ftesë për anëtarësim në NATO dhe se reforma si në armatë poashtu edhe në polici janë të patjetërsueshme.

Sa i takon presionit ndërkombëtar për implementim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, sipas Fisher ai është i domosdoshëm pasi faktori ndërkombetar ka bërë presion që kjo marrëveshje të nënshkruhet por nëse nuk implementohet atëherë nuk është arritur asnji rezultat. Ai gjithashtu potencoi se duhet të ketë presion edhe nga shtetet fqinje.
Në komentin e historianit Zoga se, qëndrimin anglo-amerikan vazhdon ta kundërshton Beogradi dhe kjo ndodh për shkak t mosndëshkimit politik dhe diplomatik të Serbisë për luftërat në Ballkan dhe lejon që Serbia të mendon se ka rol kyç në skenën politike në rajon, profesori Fisher u shpreh se politika e BE ndaj Serbisë është e matur dhe në Serbi ekzistojnë forca positive që duhet përkrahur e po të izolohet ky shtet atëherë do të fitojnë vetëm nacionalistët. Ai shtoi se SHBA-të gjithëmonë kanë qenë aleatë të këtij rajoni në procese të ndryshme që këto shtete kanë kaluar dhe pavarsisht nga zgjedhjet e ardhshme në SHBA, politika e jashtme për sa u takon proceseve të reformave do të jetë e njëjtë.
Pyetja nga audienca që njëkohësisht ishte edhe tema përmbyllëse e debatit kishte të bëjë me kantonizimin e Maqedonisë si opcion i zgjedhjes së çështjeve të brendshme. Profesori Fisher tha se edhe kjo duhet të jetë e shtruar në tavolinë si një zgjidhje mirëpo kantonizimi zakonisht funksionon në shtete të pasura siç është Zvicra ndërsa profesori Meta u shpreh se palët në Maqedoni duhet të krijojnë jetë të përbashkët sepse me mbylljen e një çështje mund të hapet një tjetër si për shembull: ku do të vendosen kufinjt e këtyre kantoneve?