Konferencë shkencore në USHT me temë “Shqiptarët gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore”
Tetovë, 25 prill 2008 - Pozicioni i shqiptarëve të Maqedonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, ka qenë tema e konferencës shkencore e mbajtur në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Studiues të historisë nga vende të ndryshme, të premten kanë trajtuar nga shumë aspekte pozicionin e shqiptarëve në këtë periudhë. Hapjen e kësaj konference shkencore e bëri Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti, i cili në përgëzimin e tij ka thënë se USHT-ja është e përqendruar në zhvillimin e studimit dhe hulumtimit shkencor.

“Ky është një sukses, përmes të cilit e shprehim vizionin tonë për zhvillimin e shkencës në përgjithësi, me qëllim të integrimit të Universitetit në rrjedhat e përgjithshme të studimeve shkencore, sidomos nga fushat e historisë. Një manifestim i këtillë inkurajon veprimtarinë krijuese shkencore të profesorëve të USHT-së dhe rrit nivelin e bashkëpunimit me studiues, institucione shkencore dhe universitete të tjera. Për këtë arsye, stafi i Universitetit, bën përpjekje të vazhdueshme për organizimin, ndjekjen dhe afirmimin e këtyre veprimtarive, me qëllim të integrimit në rrjedhat evropiane dhe botërore edhe përmes veprimtarisë shkencore” ka thënë Rektori Bexheti.

Ndërkaq sipas doc. dr. Vebi Xhemailit, shef i Programit studimor të Historisë, kjo periudhë e historisë shqiptare është e errët, duke ndërlidhur me qëllimin e kësaj konference shkencore, që sipas tij është pikërisht shpalimi i argumenteve nga studiues të ndryshëm për të zbardhur këtë periudhë.
“Për herë të parë mbahet një konferencë me karakter mbarë kombëtar ku marrin pjesë përfaqësues nga SHBA, Britania e Madhe, Maqedonia dhe Kosova dhe për herë të parë do të bisedohet troç dhe do të studiohen rrethanat politike të asaj kohe, pjesëmarrjen e shqiptarëve gjatë luftës së dytë botërore. Kjo temë është më interes duhet të studiohet, duhet të rishikohet përsëri historia e re bashkëkohore e shqiptarëve në trojet e veta etnike”, ka thënë doc. dr Xhemaili. Ai po ashtu konferencën e sotme e ndërlidhi edhe me enciklopedinë maqedone e cila u kontestua nga historianët shqiptarë.
Me kumtesat e tyre në këtë konferencë shkencore janë paraqitur prof. dr. James Pettifer historian nga Britania e Madhe, prof. dr. Berndt Fisher historian nga Universiteti i Indianës, SHBA, prof. dr. Xhelal Gjeçovi, prof. dr. Fejzullah Shabani, prof. dr. Daut Bislimi, doc. dr. Halim Purellku, prof. dr. Beqir Meta, prof. dr. Agim Zogaj dhe prof. dr. Nebi Derivishi.

Temat kanë qenë nga më të ndryshmet ndër të cilat profesori Fisher ka folur për “Shqiptarët dhe Lufta e Dytë Botërore:Miti dhe realiteti”, profesor Pettifer “Britania dhe Emergjenca e Republikës Socialiste të Maqedonisë 1942-1946”, profesor Dervishi “Shqiptarët në Maqedoni pas viteve 1944-45”, “Çështja kombëtare shqiptare në vitet e Luftës së Dytë Botërore” nga profesor Gjeçovi , “Relacione Ndërkombëtare gjatë LIIB në lidhje me Maqedoninë dhe çështja shqiptare” dhe tema të tjera nga historianë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Kumtesat që historianët kanë shtjelluar në konferencë do botohen nga Universiteti Shtetëror i Tetovës në bashkëpunim me departamentin e historisë në USHT.