Lajme:

 

USHT nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Novi Pazarit


Në vazhdën e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe internacionalizimin e Universitetit, USHT nënshkruan edhe një marrëveshje bashkëpunimi, këtë herë me Universitetin e Novi Pazarit. Marrëveshja e nënshkruar nga rektorët e dy institucioneve të larta arsimore, prof. dr. Sadi Bexheti dhe prof. dr. Mevlud Dudić dhe në praninë e përfaqësuesve më të lartë të të dy universiteteve, përfshin disa pika bashkëpunimi, duke filluar nga shkëmbimi i informacioneve për programet studimore, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, organizimin dhe implementimin e projekteve të përbashkëta, inciminin e projekteve të përbashkëta hulumtuese, seminareve, takimeve profesionale etj. Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim u shpreh: “Duke njohur rrethanat e ngjashme të Universitetit të Novi Pazarit me Universitetin Shtetëror të Tetovës, ne jemi të gatshëm të mbështesim këtë bashkëpunim, në fushat e përbashkëta ku organizojmë studime, si në nivelin deridiplomik ashtu edhe atë të masterit dhe doktoraturës dhe në çdo projekt me interes të përbashkët”.

 

Nga ana tjetër, Rektori i Universitetit të Novi Pazarit, prof. dr. Mevlud Dudić u shpreh mirënjohës për përkrahjen dhe bashkëpunimin e filluar me Universitetin Shtetëror të Tetovës. “Duke pasur parasysh se Universiteti i Novi Pazarit është institucion relativisht i ri dhe thuajse ka historik të ngjashëm me Universitetin Shtetëror të Tetovës, duke u nisur nga fakti se qyteti i Novi Pazarit vetëm vitet e fundit arin të organizoj studime të nivelit universitar, marrëveshja e bashkëpunimit me USHT është e një rëndësie historike për ne dhe shumë domethënëse.”- u shpreh rektori Dudić. Edhe menaxheri gjeneral i Universitetit të Novi Pazarit, Nusret Nicević shprehu falënderime USHT-së për përkrahjen dhe për këtë nismë bashkëpunimi. “Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi është e një rëndësie shumë të veçantë për universitetin tonë dhe ne fuqishëm besojmë se bashkëpunimi mes dy universiteteve tona do të jetë shumë intensiv dhe i frytshëm” – u shpreh Nicević.


Përndryshe, Universiteti i Novi Pazarit është themeluar në vitin 2002 dhe organizon studime në pesë fakultete, edhe atë në Fakultetin e shkencave humane, Fakultetin juridik, Fakultetin e menaxhmentit,Fakultetin e teknologjive informative dhe në fakultetin e arteve, me gjithsej 10 programe studimore.

 

Ndërkaq organizojnë studime të disperzuara edhe në më shumë qytete si në Nish, Pançevë, Suboticë dhe së fundi edhe në Beograd. Gjithsej në Universitetin e Novi Pazarit studiojnë mbi 4000 studentë.

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000