Dekani i Fakultetit Filozofik të USHT-së, Dr. sc. Fehari Ramadani, hapi Simpoziumin “Shqiptarët gjatë viteve 1878-1948”
Kam nderin që të shpall të hapur punimet e Simpoziumit të radhës “Shqiptarët gjatë viteve 1878-1948”.
Falënderojmë për pjesëmarrjen e tyre studiuesit nga Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, Kosova Lindore, nga diaspora jonë si dhe studiuesit vendas.

Falënderojmë deputetin shqiptar në Parlamentin e Maqedonisë, Dr. sc. Vullnet Ahmeti dhe z. Gani Azemi, veprimtar në diasporë, shef i zyrës së Kosovës në ekzil, bashkëpunëtor shumëvjeçar i Enver Hadrit, të cilët na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre.
Nuk është e rastësishme që Këshilli për organizimin e këtij Simpoziumi u përcaktua për Shkupin, si vend i mbajtjes së tij. Ky qytet është i mirënjohur si një nga kryeqendrat shqiptare, qendër e Dardanisë dhe e vilajetit të Kosovës, i cili ndër shekuj ruajti shqiptarësinë. Për këtë flasin edhe faktet që brenda 70 vitesh, në periudhën e viteve 1831-1912, shqiptarët e mësyn këtë qytet dhe ia dolën ta çlirojnë përkohësisht pesë herë. Ata nuk mësynin ndonjë qytet tjetër, por mësynin, siç thotë Mit’hat Frashëri “metropolin e tyre”. Nuk është e tepërt të theksojmë, në këtë rast, se Shkupi, që nga vitet 30të të shek. XIX, u kthye në qendër të LKSH-së, për trojet e Shqipërisë veri-lindore. Prandaj, me të drejt atdhetari e veprimtari i shquar Nikollë Ivanaj, në një libër të tijin thotë: “atë që e përgatiti dhe duhej t’i mbetej lavdi Shkupit, rrethanat e diktuan që ajo t’i takonte Vlorës”. Ndonëse Shkupi pas vitit 1912 sikurse qytetet tjera shqiptare, filloi të kolonizohet nga Serbia dhe shqiptarët të dëboheshin me anë të dhunës dhe terrorit, prej andej, ai do të vazhdoj të mbetet edhe më tej qendër e LKSH-së për viset e përmendura. Këtë më së miri e ilustron një dokument i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i prillit të vitit 1941, i cili bënë fjalë për vendosjen e kufirit midis pushtuesve italianë dhe bullgarë. Në dokument thuhet: “sipas të gjitha gjasave Shkupi, Tetova e Kumanova do të mbeten nën sundimin bullgar dhe Kosova do të mbetet pa kokë”.

Harku kohor, i periudhës historike i përcaktuar për këtë Simpozium ngërthen një varg ngjarjesh sa krenare po aq edhe tragjike në historinë e popullit tonë. Mjafton të përkujtojmë në këtë rast luftën e pashembullt të popullit shqiptar për liri e pavarësi dhe krijimin e shteti shqiptar. Përkundër padrejtësive që Fuqitë e Mëdha i bënë popullit shqiptar në Kongresin e Berlinit (1878), Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), Konferencën e Versajës (1919-1920) dhe Konferencën e Parisit (1946), lufta e popullit tonë për çlirim e bashkim kombëtar nuk pati ndërprerje.
Ndërsa, pas vitit 1912, në njërën anë në tokat shqiptare të mbetura nën sundimin e Serbisë, Greqisë e Malit të Zi, popullsia iu nënshtrua dhunës së egër, të ushtruar prej ushtrive pushtuese, me qëllim shpërnguljen e tyre nga trojet etnike, në anën tjetër, në Shqipëri nuk mundi të instalohej një qëndrueshmëri politike, si rrjedhojë e aspiratave të fqinjëve të saj për ta gllabëruar edhe atë pjesë të trojeve shqiptare. Kjo paqëndrueshmëri politike, në një vend të vogël i rrethuar në shumicë prej malesh dhe me pak fushë që iu la, si duket për të bërë eksperiment nëse mund të mbijetoj, do të vazhdoj edhe në periudhën midis dy luftërave botërore. Si pasojë e mungesës së mbështetjes së Fuqive të Mëdha si dhe mungesës së traditës shtetformuese (pamundësisë së krijimit të një elite politike) funksionimi i shtetit shqiptar u përballë me shumë vështirësi.

Përkundër angazhimit dhe sakrificave të mëdha të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, ai nuk ia doli të realizonte programin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe për rrjedhojë edhe më tej më tepër se gjysma e tij, mbeti nën sundimin e huaj.
Edhe periudha e viteve 1945-1948 ishte rrjedhojë logjike e rrethanave politike të krijuara brenda trojeve shqiptare. Derisa në Shqipëri u instalua regjimi komunist dhe filloi fshikullimi i atyre që mendonin ndryshe, në Kosovë dhe Maqedoni do të vazhdoj qëndresa për çlirim dhe bashkim kombëtar, nën drejtimin e Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare. Megjithatë, programi i shkëlqyeshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për krijimin e një shteti, brenda të cilit do të përfshiheshin të gjitha trojet shqiptare, mbeti në gjysmë të rrugës. Prandaj, u mbetet obligim kombëtar brezave të ardhshëm të atdhetarëve shqiptarë, të jetësojnë këtë program.
Në fund shpresojmë se kumtesat e këtij Simpoziumi do të hedhin dritë në mjaft ngjarje të panjohura deri më tani, për harkun kohor të përcaktuar për këtë Simpozium.
Duke Ju Përshëndetur edhe njëherë ju dëshiroj mirëseardhje dhe sukses në punën tuaj shkencore
Shkup, 26 korrik 2009
|