
Lajme:
Profesorët e gjeografisë në konferencën ndërkombëtare mbi infrastrukturën nacionale të të dhënave hapësinore
Më 27 Mars 2009, në Shkup, nën ombrellën e Institucionit shkencor “Hulumtues i pavarur Dr. Boris Nikodinovski”, departamentit të gjeografisë pranë USHT-së dhe Universitetit FON, u organizua konferencë ndërkombëtare me titull “Nevoja për krijimin e Infrastrukturës Nacionale e të Dhënave Hapësinore të RM-së konform udhëzimeve INSPIRE”. Konferenca u zhvillua në hapësirat e Universitetit FON.
Në konferencën në fjalë, profesori nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, Doc. Dr. Bashkim Idrizi u prezantua me punimin me titull “Developing of National Spatial Data Infratsructure of Macedonia according to global standardization (INSPIRE & GSDI) and local status”, në koautorësi me Prof.Dr. Murat Meha nga Universiteti i Prishtinës, Doc.Dr. Fauzi Skenderi, As.Mr. Resul Hamiti dhe As. Rukije Skenderi nga departamenti i gjeografisë pranë USHT-së. Gjatë prezantimit, profesor Idrizi nëpërmjet elaborimit shkencor dhe praktik theks të veçantë i kushtoi rëndësisë mbi krijimin e INDHH-së për Maqedoninë konform udhëzimeve INSPIRE (Infrastrukturë evropiane e të dhënave hapësinore), pikërisht implementimin e standardeve evropiane për organizimin e të dhënave hapësinore dhe ndikimin e tyre në të gjitha sferat e jetës në RM, me qëllim të përshpejtimit të përmbushjes së kritereve të nevojshme për anëtarësim të plotë të Maqedonisë në Unionin Evropian dhe menaxhim më efikas me mjedisin jetësor në aspekt lokal (mikrorajonal, rajonal dhe shtetëror) e deri në atë global (regjional, evropian dhe botëror), gjithë këto të mbështetura në përvojat e shteteve më të zhvilluara botërore.
Në prezantim nuk munguan as analizat e bazës ligjore mbi zhvillimin e INDHH-së për Maqedoninë, ku prof Idrizi potencoi mangësitë në ligjin aktual duke dhënë propozime për ndryshime ligjore si masë për tejkalimin e situatës aktuale. Në fund të prezantimit profesori definoi hapat e domosdoshme që duhen ndjekur drejt qëllimit në fjalë, ku mjaft qartë u cek se në bazë të ligjit aktual Agjencia për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme është institucioni shtetëror përgjegjës, e cila për fat të keq akoma është indiferente rreth kësaj çështje.
Tubimi përfundoi pas një debati mjaft konstruktiv, me vlerësime të larta të këshillit organizativ mbi kualitetin e punimeve të prezantuara.
|

PROGRAMI ERASMUS 