Universiteti Shtetëror i Tetovës:

Universiteti Shtetëror i Tetovës
rruga e Ilindenit pn, 1200 Tetovë, Republika e Maqedonisë
Tel: +389 44 356 500
Fax: +389 44 334 222
e-mail:international@unite.edu.mk
Maratonisti Selmani barti mesazhin e USHT-së për përkrahjen e pavarësisë
Tetovë, 27 shkurt - Maratonisti i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Adem Selmani arriti ta realizojë ëndrrën e tij. Për nder të pavarësisë së Kosovës, ai realizoi maratonën me distancë prej 104 kilometrash, në relacionin Tetovë – Prishtinë, duke dërguar në Prishtinë mesazhe përshëndetëse dhe urime nga USHT-ja, Tetova dhe gjithë shqiptarët e Maqedonisë, për popullin e Kosovës. Pas arritjes në Prishtinë, para monumentit të Skënderbeut, Selmani ka thënë: “Gëzuar pavarësinë Kosovë! Arrita ta realizoj ëndrrën time që mesazhet përshëndetëse t’i përcjell nga Tetova për popullin e Kosovës”.
Maratona ka rrjedhur ashtu sikurse e kishin parashikuar organizatorët e saj. Evenimenti ka qenë nën udhëheqjen e dekanit të Fakultetit të Kulturës Fizike, doc. dr. Fadil Nika, ndërsa Qendra spitalore e Tetovës ka mundësuar një auto-ambulancë me mjek kujdestar. Maratonisti Selmani gjatë gjithë kohës është shoqëruar edhe nga ekipet policore të Tetovës dhe Shërbimit Policor të Kosovës.
“Organizimi ishte në nivelin e duhur. Si para nisjes edhe gjatë tërë rrugës, gjithçka ka rrjedhur shumë mirë, si në aspektin teknik po ashtu edhe në atë shëndetësor. Besoj se qëllimi i kësaj maratone u arrit dhe Selmani barti mesazhin përshëndetës të USHT-së për popullin e Kosovës”, ka thënë dekani i FKF-së, doc. dr. Fadil Nika. Adem Selmani, të mërkurën ka realizuar maratonë me destinacion Tetovë-Prishtinë. Ai është nisur nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tetovës, ndërsa në përkrahje të tij janë nisur edhe një grup studentësh nga Fakulteti i Kulturës Fizike pranë USHT-së, të cilët e kanë ndjekur atë deri në afërsi të objektit të Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore të USHT-së.
Kjo maratonë është organizuar nga USHT-ja, respektivisht nga Fakulteti i Kulturës Fizike, me qëllim të përkrahjes së Pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, maratonisti i njohur shqiptar Selmani, edhe në evenimente të tjera garon me ngjyrat e USHT-së. |
WEB MAIL Sign in apo Regjistrohu


