Lajme:

 

Dr. Sunaj Raimi promovoi librin universitar “Sociologjia”

 

Në ambientet e Fakultetit Filozofik pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës u bë promovimi i librit universitar “Sociologjia” të autorit doc. dr. Sunaj Raimi. Të pranishëm në promovimin e këtij libri, botim i Universitetit Shtetëror të Tetovës, ishin recensentët prof. dr. Havzi Memeti, prof. Vesel Memedi dhe prof. Hasan Jashari si dhe profesorë e studentë nga Fakulteti Filozofik dhe katedra e sociologjisë pranë USHT-së.


Ky libër paraqet punën disavjeçare të autorit, dedikuar nevojave studiuese të studentëve, me qëllim që të bëhet një ndriçim i ri i temave klasike të sociologjisë, si dhe hapjen e çështjeve të reja shoqërore të kohës. Teksti në fjalë paraqet një bazë të shëndoshë për studimin e zhvillimit të mendimit sociologjik dhe kuptimin e temave klasike të sociologjisë.


Autori Sunaj Raimi në veprën “Sociologjia” trajton çështjet fundamentale të sociologjisë  si një shkencë e grupeve, konflikteve dhe shumëllojshmërive të shoqërive njerëzore, institucioneve dhe organizimit të saj. Ky libër përfshinë shumë gjëra të reja, të cilat  e përbëjnë botëkuptimin e ri se çfarë është sot sociologjia dhe se çfarë duhet të jetë lëmi i kërkimit dhe studimit të saj. Libri ndahet në disa kapituj  duke u nisur nga periudha e kohës antike,mendimi shoqëror i atëhershëm, themelimi i sociologjisë, metodat-drejtimet sociologjike, kulturën, grupet shoqërore, format e vetëdijes, strukturën e shoqërisë, diferencimin social dhe deri në periudhat e kohës në të cilën jetojmë. Në përgjithësi, ishte mendim i të gjithë të pranishmëve, se libri “Sociologjia” me autor Doc.dr. Sunaj Raimi është një kontribut unikat në fushën e shkencave shoqërore në përgjithësi, dhe në sferën e teorive sociologjike në veçanti.


Sunaj Raimi ka lindur më 7 mars 1966 në Kumanovë. Është ligjërues në katedrën e sociologjisë pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Aktualisht ushtron detyrën e shefit të programit studimor Sociologji pranë USHT-së.  Është autor i disa titujve shkencor. Deri më tani ka publikuar gjithsej tetë tekste universitare, përfshirë këtu edhe librin e fundit “Sociologjia”.

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000