Organet legjitime të USHT-së vazhdojnë me konsolidimin e plotë të këtij Institucioni
E filloj shkrimin me një varg të këngës popullore shkodrane "Tir e shtir, por boshti nuk po mbushet'', për të kujtuar të gjithë ata që nuk reshtin duke shkruar kundër Organeve legjitime të USHT-së. Me shkrimet apo thënë më mirë me reagimet dezinformuese të publikuara në pamflete partish, nuk arritët qëllimin të bindni opinionin se e drejta është në anën tuaj. Nuk arritët të bindni Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë të shpall të padrejtë vendimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për shkarkimin e ish-ushtruesit të detyrës të ashtuquajturin rektor Agim Vela dhe ish-organeve tjera drejtuese të Universitetit .
Me propagandën shfrenuese dhe të dirigjuar, duke u munduar të krijoni paralelizma me drejtuesit legal të Universitetit gjithnjë e më tepër po dëshmoni për qëllimet tuaja të errëta ndaj USHT-së duke e konsideruar parti politike dhe jo institucion të arsimit të lart. Universiteti nuk është pozitë apo opozitë, i djathtë apo i majtë, aleatë ose kundërshtar partie, por institucion shkencor dhe arsimor i cili nga viti 1994 ka nxjerr kuadro të profileve të ndryshme që sot i kemi kudo në administratën shtetërore e publike, në lëmin e arsimit, shëndetësisë, jurisprudencës, publicistikës e kështu me radhë. Po e theksojmë vitin e themelimit të Universitetit të Tetovës vetëm për ata që USHT-në e njohin nga viti 2006 e këndej. E kaluara historike e Universitetit flet më së miri për domosdoshmërinë e respektimit të integritetit të tij. Historikisht shqiptarët kanë investuar për arsimin shqip,por kurrë deri më tani nuk kanë shpifur dhe injoruar institucionet e veta. Kontributin e popullit dhe sakrificën e studentëve për të ngritur lart Universitetin në vendin ku është sot, nuk lejojnë shqiptarët që ta nëpërkëmbin një grup njerëzish të cilët abuzuan skajshmërisht me buxhetin, diskriminuan punonjësit, inkuadruan politikën ditore në Universitet e tjerë e tjerë. Përkundër këtyre veprimeve të papërgjegjshme edhe më tej dëshironi të manipuloni opinionin duke i dhënë vetes të drejtë të bëni ligjin, të ndani drejtësinë mbi Universitetin dhe të flisni në emër të tij. Më në fund e kuptuat edhe vetë ju se me mashtrimet dhe trillimet e këtilla nuk arritët të pengoni veprimtarinë arsimore dhe shkencore të organeve legale të USHT-së të udhëhequra nga Rektori doc.dr.Agron Reka.
Këshilli i Rektoratit angazhohet të përmirësojë imazhin e Universitetit që ju me veprimet denigruese e shndërruat në ent social duke punësuar e mashtruar bijtë dhe bijat tona. Në agjendën e udheqësisë së re,parësore mbetet forcimi i Institucionit me kuadro të përgatitura,intensifikimi i bashkëpunimit me Universitetet e rajonit dhe botës ,ofrim të studimeve bashkëkohore për studentët në të gjitha fakultetet dhe programet studimore . Oferta akademike e Rektorit doc.dr.Agron Reka është mirëpritur si nga inteligjencia e vendit , po ashtu dhe ajo rajonale e evropiane .
Zyra Për Informim e USHT-së |