Java e tetë seminarike në Infermieri: “Avancimi i infermierisë në Evropën Juglindore”
30 maj 2008, E premte – Në saje të programit të veçantë “Rindërtimi akademik në Evropën juglindore”, projekt i udhëhequr nga Instituti i Shkencave të Shëndetësore dhe Infermierisë të Universitetit Martin Luther në Halle Wittebmerg në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, departamenti i infermierisë dhe mamive, programi studimor i infermierisë pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, fakulteti i infermierisë në Tiranë dhe Universiteti Teknologjik, fakulteti i infermierisë në Vlorë, organizohet java e tetë seminarike për infermieri në qytetin e Tetovës.

Ky projekt i financuar nga DAAD, Programi për rindërtim akademik në Evropën Juglindore ka për qëllim përmirësimin e qëndrueshëm të kualitetit të arsimit në Universitetet përmes përpunimit dhe etablimit të metodave dhe standardeve për matjen e kualitetit dhe promovimit të mësimit dhe hulumtimit, krijimi i një rrjeti pune mes universiteteve në regjion dhe Gjermanisë, sigurimi i mjeteve mësimore dhe literaturës, organizimin e konferencave profesionale, kurseve profesionale për docent e studentë të lëmive që kanë të bëjnë infermierinë dhe organizimin e praktikave, punëve profesionale dhe grupeve tjera ndëruniversitare.

Pjesëmarrësit nga Universitetet e lartpërmendura qëndruan në Rektoratin e Universitetit Shtetëror të Tetovës si një nga bashkudhëheqësit e projektit, ku u pritën nga Rektori i USHT-se, prof. dr. Sadi Bexheti i cili përgëzoi organizimin e seminarit të tetë me radhë njëjavor, në kuadër të projektit.
“Me akreditimin e Fakultetit të shkencave të mjekësisë, me mjekësinë e përgjithshme dhe stomatologjinë, me programet ekzistuese infermieri dhe farmaci si dhe me marrjen në shfrytëzim të hapësirave dhe stafit në Spitalin e Tetovës, universiteti Shtetëror i Tetovës i ka të gjitha predispozitat për zhvillimin e suksesshëm të studimeve në fushën e mjekësisë. Ne si universitet jemi shumë të interesuar për bashkëpunim regjional dhe ndërkombëtar, prandaj ky projekt dhe kjo javë seminarike është shumë e frytshme për të gjithë universitetet pjesëmarrëse.” u shpreh Rektori Bexheti.
Java e tetë seminarike, pjesa e paraparë për në Tetovë është mbajtur nga data 28 deri më 30 maj 2008.