Aktivitete me rastin e muajit të Frankofonisë
Nën organizimin e studentëve dhe profesorëve të programit studimor Gjuhë dhe letërsi Frënge, Qendrës për shërbime studentore dhe Karrierë, Zyrës për marrëdhënie ndërkombëtare dhe me ndihmën e Aleancës Franceze – Tetovë, në Universitetin Shtetëror të Tetovës u organizuan sërë aktivitetesh me rastin e muajit të frankofonisë.

Lojë shahu, kuzhinë franceze dhe shqiptare, shfaqje filmash të shkurtë, publikimi i disa nga titujve të autorëve më të famshëm francez, ekspozitë me pamjet më të dalluara të Francës etj., ishin disa nga aktivitetet që u organizuan me këtë rast.

Pjesëmarrës ishin edhe zëvendës ambasadorja franceze, E.S. Isabelle Guisnel dhe përfaqësues të tjerë të Ambasadës Franceze, përfaqësuesja e French Culture Center, Suzana Pesiç, drejtuesit e Aleancës Franceze në Tetovë si Paul Chambry, për të përshëndetur iniciativën dhe gjithashtu për të promovuar mundësitë për studime në Francë.
Zëvendës-ambasadorja Guisnel përgëzoi për organizimin dhe siguroi për përkrahjen e mëtutjeshme të Ambasadës Franceze për Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Nga USHT, të pranishmit i përshëndeti prof. dr. Fejzulla Shabani, prorektor për studime pasdiplomike, i cili në emër të USHT-së falënderoi Ambasadën Franceze dhe Aleancën Franceze në Tetovë për përkrahjen e vazhdueshme për USHT-në, sidomos për katedrën e gjuhës frënge, për financimin e laboratorit të gjuhës etj.

Edhe përgjegjësi i katedrës së gjuhës frënge, prof. Shefki Luma falënderoi përfaqësuesit francez në Maqedoni për ndihmesën e vazhdueshme. Ai më tej foli për rëndësinë e muajit të frankofonisë dhe për shënimin tradicional të tij.
Muaji i frankofonisë tradicionalisht shënohet në shumë institucione arsimore. Në USHT ka filluar të organizohet nga viti i kaluar dhe me tendencë që të zhvillohet dhe rritet nga viti në vit. |