6

 

R E A G I M

Në lidhje me shkrimin e botuar në gazetën “Lajm”, të datës 11 maj 2007, me titull “Maqedonas pa titull zënë vendet e magjistrave shqiptarë” nga autorja Laura Papraniku, në të cilin paraqiten gjoja disa parregullsi që janë shfaqur gjatë procedurës së pranimit të kuadrit të ri mësimor në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në bazë të Konkursit të datës 19 dhjetor 2006, në të cilin ishin të paraparë të pranohen afër 100 mësimdhënës, bashkëpunëtorë dhe asistentë, për zhvillimin e procesit mësimor në fakultetet ekzistuese të USHT-së.

Autorja e shkrimit, në mungesë të informacioneve të nevojshme, ka paraqitur disa gjoja padrejtësi që u janë bërë disa kandidatëve, të cilët qenkan të pakënaqur me vendimin e organeve përkatëse të Universitetit për pranimin e kuadrit mësimor. Ne vërtetojmë se këto të dhëna fare nuk korrespondojnë me faktet reale dhe si të tilla janë pjesë e fushatës e cila ndiqet në kohën e fundit nga disa qarqe të motivuara politikisht, të cilat nuk janë të interesuara për ndryshimin pozitiv të gjendjes, të cilën e ka trashëguar udhëheqja aktuale e Universitetit. Sa për informimin, për opinionin lexues, në vazhdim me kompetencë do t’i paraqesim disa fakte dhe argumente në lidhje me këtë temë.

Përkrah ndryshimeve të tjera pozitive për krijimin e një fryme të re për punë profesionale, afirmim brenda dhe jashtë vendit të veprimtarisë mësimore-shkencore të USHT-së, edhe në lidhje me pranimin e kuadrit të nevojshëm mësimor janë bërë ndryshime pozitive, por autores në fjalë i pengojnë disa cikërrima të individëve, të cilët janë të interesuar vetëm për realizimin e interesit të tyre personal dhe jo të interesit të përgjithshëm për mbarëvajtjen e punëve në Universitet. Për rastin në fjalë, organet kompetente të Universitetit për lëshimet e mundshme në afatin e paraparë ligjor kanë ndërmarrë masa që të njëjtat të evitohen, ashtu sic është përcaktuar me normat ligjore dhe Statutin e USHT-së.

Pas procedurës së rregullt në bazë të konkursit të theksuar, të gjithë kandidatëve të cilët nuk kanë qenë të kënaqur me zgjedhjen e kuadrit nga konkursi u është dhënë mundësia e parashtrimit të ankesave me arsyetimet e tyre për shkeljet e mundshme të procedurave. Sic rezulton nga dokumentacioni, të cilin e ka shqyrtuar organi kompetent, disa nga kandidatët e pakënaqur ankesat e tyre nuk i kanë parashtruar në afatin e paraparë ligjor, prandaj si të tilla edhe janë refuzuar si të pabaza. Në rastet kur organi kompetent ka vlerësuar se ka pasur lëshime, janë marrë masa të nevojshme për shqyrtimin e ankesave të kandidatëve. Drejtoria e Rektoratit, pas këtyre ankesave të shqyrtuara, ka sjellë vendim që të përsëritet konkursi për këto vende të punës: Në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, programi studimor: Farmaci (1 asistent); në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Arteve, programi studimor: Gjeografi (1 asistent); programin studimor: Psikologji ( 1 asistent), programi studimor: Sociologji (1 profesor dhe 1 asistent); programi studimor: Kulturë fizike (1 asistent), programi studimor: Art muzikor (1 asistent); Qendra për Arsim të Lartë Profesional Mjekësor-Infermieri (1 asistent) dhe në Fakultetin Ekonomik (1 asistent). Në bazë të kësaj që u prezantua më lart, shihet që autorja e shkrimit nuk ka qenë mirë e informuar.

 

Zyra për informim e USHT-së  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.