6

USHT pritet të bëhet me nëntë fakultete

 

Senati i Universitetit Shtetëror të Tetovës, më 18.04.2007 (të mërkurën) mbajti mbledhjen e rregullt, në të cilën u shqyrtuan dhe miratuan disa pika të rendit të ditës, ndër të tjera u shqyrtua dhe u miratua Vendimi i Drejtorisë së Rektoratit të USHT-së për zgjedhjen e mësimdhënësve sipas Konkursit të publikuar më 19 dhjetor 2006.

Kryetari i Senatit të USHT, prof. dr. Lutfi Istrefi, tha se “Senati i USHT-së mbajti mbledhje me disa pika të rendit të ditës, ku ndër pikat më të rëndësishme ishte miratimi i Vendimit të Drejtorisë së Rektoratit të USHT-së për zgjedhjen e mësimdhënësve sipas Konkursit të mëparshëm, të cilin gradualisht e plotësojmë, kështu që na kanë mbetur edhe disa kandidatë, për të cilët ka pasur ankesa. Duke zbatuar statutin, ne i kemi kthyer ata që komisionet recensuese të japin mendim dhe pastaj organet e universitetit të vendosin. Kemi zgjedhur një numër të madh të kandidatëve dhe të gjithë janë me nota të larta”. Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti edhe një herë përkujtoi se në këtë universitet do të punohet në mënyrë transparente.

Rektori Bexheti bëri të ditur se prej 70 vendeve të hapura nga Ministria e Arsimit, janë plotësuar 42 vende. Kështu kanë mbetur të hapura 28 vende, ndërsa për 18 nuk ka konkurruar askush. Për 10 vende ka pasur ankesa, për të cilët do të bëhet recensioni edhe një herë. “Është shumë me rëndësi të ceket se Qeveria e Maqedonisë dhe ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti, bënë të mundur transferin nga UT në USHT për 2500 studentë, të cilët këtë ende nuk e kanë bërë. Të gjithë studentët do të mund të bëjnë transferin e tyre prej studimeve të UT në USHT, në mënyrë që deri në fund të vitit 2008 të mund të kalojnë në studime të rregullta, për shkak se edhe ata kanë qenë studentë të këtij universiteti.

Edhe për studentët që kanë përfunduar ciklin e dytë, do t’u bëhet njohja e diplomave të tyre”, tha rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti. Rektori Bexheti bëri të ditur se në USHT punohet në lidhje me organogramin e ri të fakulteteve, ku si risi do të jetë hapja e disa fakulteteve të reja, që do të dalin nga fakultetet ekzistuese ku janë grumbulluar më shumë programe studimore. Kështu, në të ardhmen pritet që USHT të ketë nëntë fakultete, për dallim prej tash që ka katër fakultete dhe dy qendra studimore. Fakultetet ekzistuese, ai i Shkencave Matematike-Natyrore, Juridiku dhe Ekonomiku nuk do të pësojnë ndryshime. Universitetit pritet t’i shtohet edhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore, ku do të ketë disa drejtime, si farmacia, drejtimi i motrave dhe ai i mjekësisë-stomatologjisë. Ky i fundit pritet të hapet në vitin akademik 2009/2010, ndërsa për të ekzistojnë kushtet e nevojshme dhe ato janë të akredituara.

Qendra Politeknike, e cila ka funksionuar deri më tash, pritet të shndërrohet në Fakultet të Shkencave Aplikative, ashtu sic parasheh Deklarata e Bolonjës. Fakultet i vecantë pritet të jetë edhe ai Filologjik, ku janë drejtimet e gjuhës shqipe, maqedonase, angleze dhe gjermane. Në këtë fakultet pritet të funksionojë edhe qendra e studimit të gjuhëve të tjera, e cila do të realizohet në bashkëpunim me Universitetin e Shkupit. Kjo qendër do të jetë në shërbim të atyre që janë të interesuar për t’u kualifikuar për gjuhë të huaja. Në mesin e fakulteteve të këtij universiteti, prej vitit të ardhshëm akademik pritet të funksionojnë edhe këto fakultete të vecanta: Fakulteti Filozofik, Fakulteti i Arteve dhe Fakulteti i Kulturës Fizike, që do t’i kenë edhe drejtimet përkatëse.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.