6

Ambasadori romun mbështët USHT-në

Në Rektoratin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, më 04.06.2007 (të hënën) arriti për një vizitë pune ambasadori rumun në RM, Adrian S. Constantinescu dhe Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë, Imer Selmani, të cilët u pritën nga rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti.

Me këtë rast, ministri Selmani tha se qëllimi i vizitës ishte që së bashku me ambasadorin rumun para studentëve të ligjërojnë për BE-në dhe të japin mendime se cka i sjell BE-ja Maqedonisë. Gjithashtu, ministri potencoi se së bashku me rektorin Bexheti trajtuan edhe temën e hapjes së Fakultetit të Mjekësisë dhe Stomatologjisë. Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti falënderoi ambasadorin për vizitën, si dhe ministrin për përkrahjen institucionale që i jep universitetit.

Ndër të tjera theksoi se pritet që me ligj të posacëm në Kuvendin e Maqedonisë të zgjidhet cështja e Fakultetit të Mjekësisë dhe është tepër optimist që ky ligj do të miratohet që në vitin e ardhshëm akademik 2008/2009, kur edhe do të fillojë të funksionojë. Ai tha se deri atëherë do të përgatiten laboratorët, që të ketë kushte sa më të mira për studentët e ardhshëm. Ambasadori rumun u shpreh se tema e ligjërimit të tij ka të bëjë me integrimet në BE, që është shumë e rëndësishme për studentët e USHT-së, se ky paraqet një proces shumë kompleks, ku të gjitha vendet aderuese vlerësohen sipas meritave.

Për të arritur objektivat, qeveritë e vendeve duhet të punojnë shumë dhe të jenë këmbëngulës në arritjen e tyre. Ambasadori rumun, Adrian Constantinescu dhe ministri Imer Selmani, në amfiteatrin e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore mbajtën një ligjëratë të përbashkët me temë: “Beneficionet e Rumanisë në BE”. Ligjëratën e hapi rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti, i cili duke shprehur kënaqësinë e tij për praninë e mysafirëve, tha se “në përpjekjet e vazhdueshme për zyrtarizimin e USHT-së, patëm përkrahjen e pakursyer edhe të institucioneve ndërkombëtare, ndaj të cilëve kemi shprehur vazhdimisht mirënjohje. Edhe Qeveria e Rumanisë, përfaqësuesit e Ambasadës në Shkup, si dhe drejtuesit e Universitetit të Bukureshtit, që nga fillimi i punës së universitetit kanë dhënë mbështetje dhe përkrahje të pakursyer”.

Ambasadori rumun, Constantinescu, në ligjëratën e tij shpjegoi rrugëtimin e Rumanisë drejt anëtarësimit në BE. Sipas tij, rruga drejt BE-së nuk ishte e lehtë, sepse shtetet duhet të realizojnë këtë synim në një kohë të shkurtër. Procesi është kompleks, kërkon reformim të plotë të sistemit politik, reformimin e ekonomisë së tregut dhe krijimin e një shoqërie të demokratizuar. Ai tregoi në mënyrë kronologjike edhe fazat që i kaloi Rumania prej vitit 1993, kur e filloi procesin e anëtarësimit e deri në anëtarësimin e saj në BE.

Ambasadori theksoi se Rumania ishte tradicionalisht pro perëndimit, sidomos pas përfundimit të luftës së ftohtë të vitit 1989, kur ra sistemi komunist dhe filloi procesi i ribashkimit për Rumaninë, demokratizimi dhe reformimi politik dhe ekonomik i saj. Ndër përfitimet kryesore të Rumanisë nga BE, ambasadori potencoi rritjen ekonomike si rezultat i integrimit në një treg të përbashkët, konsolidimin e institucioneve shtetërore, lëvizjen e lirë të qytetarëve, fuqinë punëtore dhe të kapitalit etj. Sipas tij, BE nga Rumania përfitoi kulturën e saj si një vend tipik latin, me përkatësi fetare ortodokse. Ministri tha se BE paraqet një familje të shteteve demokratike, që synojnë paqe dhe prosperitet të përhershëm dhe se ajo është e hapur për anëtarësimin e shteteve të reja. Ministri foli për rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë në BE, avantazhet dhe beneficionet që do t’i përfitonte nga BE.

Ministri i Shëndetësisë në RM, Imer Selmani u përqendrua në përpjekjet e kësaj qeverie dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për harmonizimin e ligjit të shëndetësisë me ata të BE-së. Sipas tij, segmenti i shëndetit publik ka nevojë për reformim. Në mbrojtjen primare janë iniciuar 14 programe preventive, për të cilat është ndarë një shumë prej 596 milionë denarë nga buxheti. Gjithashtu, janë iniciuar reforma në spitale dhe sidomos në menaxhimin e fondit për sigurim shëndetësor. Sipas tij, intencat primare të tanishme janë përmirësimi i shërbimeve shëndetësore e jo infrastruktura shëndetësore.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.