6

Roli dhe rëndësia e vizitës së presidentit amerikan George Bush në Shqipëri

 

Në debatin e fundit nga cikli i debateve universitare organizuar nga RTM, emisioni në gjuhën shqipe dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës, të enjten (7 qershor 2007), të ftuar ishin dy figura të shquara të politikës shqiptare, zotëri Arbën Xhaferi, lider i Partisë Demokratike Shqiptare dhe zotëri Sabri Godo, politikan i shquar. Temë debati ishte vizita e presidentit amerikan në Shqipëri, roli dhe rëndësia e kësaj vizite lidhur me cështjen e Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.

Zotëri Arbën Xhaferi lidhur me temën e debatit deklaron se vizita e Bushit në Shqipëri është ardhja e historisë në Shqipëri dhe se është vizitë e merituar sepse shqiptarët luajtën një rol të rëndësishëm në rajon ku relevanca e shqiptarëve filloi në vitin 1981 me demonstratat në Prishtinë, pastaj sepse shqiptarët nuk bënë pakt me Millosheviqin; sepse arritën t’i kapërcejnë shumë vështirësi edhe duke sakrifikuar në luftë.

Sipas z. Arbën Xhaferi, politika e jashtme e SHBA-ve udhëhiqet nga idetë dhe intervenimi i SHBA-ve në Kosovë është fryt i idealeve për liri, për respektimin e standardeve të njeriut. Sipas tij ka qytetërime që prodhojnë histori, si perëndimi dhe të tilla që krijojnë kronika duke aluduar në lindje, dhe për këtë ardhja e Bushit në Shqipëri është ardhja e historisë në Shqipëri. Lidhur me shprehjen e rusëve se Kosova është precedencë, z.Xhaferi deklaron se Kosova është precedencë pozitive sepse fitoi e drejta, sepse në shembullin e Kosovës ka pozitivitete të shumta.

Ndërsa rreth mundësisë së vetos ruse, z. Xhaferi deklaron se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm nëse Serbia dëshiron të mbes satelit në Ballkan për parandalimin e proceseve integruese. Lidhur me ngjarjet e fundit në Maqedoni, z. Arbër Xhaferi deklaron se mocioni kundër qeverisë nuk mund të ketë pasoja strategjike dhe nuk do të ndikoj fare mbi statusin e Kosovës, dhe se PDSH ka një politikë të drejtë sepse u legjitimua në një proces demokratik përkundër partive të reja që nuk janë aq adaptibile në proceset demokratik.

Zotëri Sabri Godo deklaroi se vizita e presidentit amerikan është e një rëndësie të vecantë, që vjen si pasojë e më shumë shkaqeve, nga të cilat ai potencon lidhjen historike të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi me amerikanët. Sipas tij, vizita e presidentit amerikan është arsye për t’u gëzuar, është me destinacion të qartë dhe me qëndrim të qartë dhe se do t’i jap përkrahje Shqipërisë në marrëdhënie me shtetet fqinje. Zotëri Godo potencoi lidhjet historike miqësore të shqiptarëve me amerikanët dhe ndihmën e SHBA-ve qysh në vitin 1920, kur presidenti i atëhershëm Wilson nuk lejoi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë, ndihmën gjatë periudhës së Zogut, kujtoi fondacionin Rokfeller për zhdukjen e malaries në Shqipëri, hapjen e shkollave, si ajo agrare ekonomike etj.,si dhe në fund ndihma në luftën e Kosovës.

Duke cituar fjalimin e Nicholas Burns në senat, për cështjen e Kosovës kur ai deklaroi në fund të fjalimit...edhe pse ata janë miq tanë, zotëri Godo konkludon se shqiptarët janë vendi më mik i amerikanëve dhe përkrahja nga amerikanët është përkrahje që i jepet një shteti mik. Rreth mundësisë së përdorimit të vetos nga ana e Rusisë në Këshillim e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, z. Godo deklaron se kjo do të krijonte ndërlikime për integrimet e rajonit, dhe se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme dhe në rast të tillë ajo do të kryhej përmes marrëveshjeve bilaterale me shtetet tjera. Në debat u kycën edhe studentët dhe profesorët të cilët ishin të pranishëm  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.